Uashington, 21 mars 2026 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se në takimin që ka zhvilluar të premten në Departamentin Amerikan të Shtetit është diskutuar për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e ardhshëm të këtij dialogu.
Sorensen, në një njoftim në platformën X, ka bërë të ditur se me zyrtarin e lartë të Byrosë së Departamentit të Shtetit, Brendan Hanrahan, i kanë shqyrtuar arritjet e fundit në dialogun Kosovë–Serbi dhe kanë bërë harmonizimin e veprimeve për hapat e ardhshëm në këtë dialog.
“Takim i shkëlqyer me zyrtarin e Lartë të Byrosë Brendan Hanrahan në Departamentin e Shtetit. Diskutuam për dialogun, i shqyrtuam arritjet e fundit dhe e siguruam harmonizimin në hapat përpara”, ka shkruar Sorensen.
Sorensen u takua me zyrtarin e DASH-it pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që serbëve në Kosovë t’u ofrohen lehtësi gjatë zbatimit të Ligjit për të huajt, i cili hyri në fuqi më 15 mars.
Qeveria e Kosovës. pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me Sorenseni, vendosi që pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës t’u lëshohen leje të përkohshme qëndrimi të vlefshme 12 muaj dhe që serbëve t’u njihen letërnjoftimet e lëshuara nga organet paralele serbe në Kosovë.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës u mirëprit nga subjektet politike serbe në Kosovë, nga Serbia dhe nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ligji për të huajt i prek pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovë, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Ky ligj parasheh që të gjithë personat që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi në Kosovë, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë dtrejtuesit e tyre autorizim përkatës.
(r.m.)