Sorensen: Nuk ka ndonjdonjë afat për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi

Prishtinë, 14 gusht 2026 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se BE-ja nuk ka përcaktuar ndonjë afat kohor për përmbylljen e procesit të dialogut. Ai ka thënë se më e rëndësishme se përcaktimi i një date është zbatimi i marrëveshjeve për të cilat janë pajtuar dy palët.

“Nuk do të caktoj një afat kohor për përmbylljen e dialogut në tërësi, Ajo që ka rëndësi është që të dyja palët të zbatojnë atë për të cilën tashmë kanë rënë dakord. Përparimi është kriteri im matës dhe jo kalendari”, ka thënë Sorensen, në një intervistë me shkrim për KosovaPress.

Sorensen ka thënë se tash për tash nuk ka një datë për takimin e radhës të kryenegociatorëve, por ka shtuar se përgatitjet vazhdojnë dhe se ai është në kontakt të rregullt me të dyja delegacionet.

“Nuk kam një datë për të njoftuar lidhur me takimin e radhës të kryenegociatorëve. Përgatitjet vazhdojnë dhe unë jam në kontakt të rregullt me të dyja delegacionet për të përcaktuar se kur një takim mund të sjellë rezultate”, ka deklaruar ai.

Sorensen ka bërë të ditur se një takim i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pritet të ndodhë së shpejti. Ai ka thënë se një takim i tyre do të thirret vetëm kur të vlerësohet se mund të kontribuojë në arritjen e rezultateve konkrete.

“Ai nuk është as shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e rezultateve, Përfaqësuesja e Lartë është e gatshme ta thërrasë atë kur të dy liderët të jenë gati për të sjellë rezultate konkrete”, ka thënë Sorensen.

(r.m.)