Kur acarohemi ne si komb me Europën – e kjo ndodh bukur shpesh – trushkretit mes nesh turrevrap i kanë formulimet e gatshme dhe si parulla i çojnë lart e më lart kundër Europës. Pra, e përdorin Gjergj Fishtën dhe disa vargje të tij për t’sha. Por rrallë ose kurrënjëherë s’ e citojnë Fishtën, kur ai i blatohet qytetnimit perëndimor dhe lufton që shqiptarët të bëhen si krejt Europa.
Me siguri, shoqëria jonë, sikur ta lexonte Fishtën, e të mësonte sa duhet prej veprës së tij të pasur – si duhet kombi dhe si luftohet për përparimin e tij – shumë anomali e marrëzi s’ do të ishin kaq prezente mes nesh.
Por ne, si nxënës të këqij që jemi, citojmë e keqcitojmë për të shprehë mllef dhe jo për të mbledhë mend e për t’ u vetëdijesuar e edukuar për vepra fisnike.
Pra, përpara se ta përdorim Fishtën për t’sha Europën, duhet ta përdorim dhe lexojmë veprën e tij në plotëni, për t’pa ç’dashuri të madhe ushqei ai për kombin e gjuhën shqipe, për shtetin dhe për Europën.
…
Gjergj Fishta ka shkruar një vepër të madhe, letrare dhe publicistike, në të cilën ka transmetuar dashuri të pafund për kombin. Ai i është blatuar si askush dashurisë për kombin, gjuhën, identitetin, aq sa e tejçon ligjërimin e tij në botën e përtejme dhe i premton Shqipërisë se “edhe n’vorr ka me parmendë.”
Kjo dashuri kaq e madhe, shumëkënd e shtang.
…
S’ di të ketë ndonjë rast kur Fishta citohet e përmendet më shumë sesa kur ka ndonjë mosmarrëveshje apo keqkuptim ndërmjet shqiptarëve dhe Europës.
Dhe, janë disa vargje të tij, ku ai shpërthen nga pezmi e dhimbja për atdheun e tkurrur dhe e kritikon ashpër Europën, por jo më shumë se marrëzitë politike shqiptare.
Ato vargje, të cilat duket se i di secili shqiptar, përdoren për t’i helmatisë shigjetat me urreje e për t’ i drejtuar kundër Europës.
Por, shqiptarët e shkretë në punë të dijes e të leximit s’ është se e kanë lexuar sa duhet veprën e tij, sidomos atë publicistike, ku ai flet për tema që lidhen me shtetin, kombin, raportet me të tjerët, Europën, etj.
Prandaj, sot, shumë s’e dinë ose s’duan ta dinë se Fishta në të vërtetë e ka dashtë Europën, si atdhe të vetin, ashtu siç e ka dashtë Shqipërinë, të cilës i premtoi se edhe në vorr ka me përmendë.
Për ma tepër, Fishta ka vuajtë pse Shqipëria s’është si krejt Europa. Dhe këtë e ka dëftuar në shumë vargje e tekste publicistike.
Po, ai ka vuajtë shumë pse shqiptarët janë këputë nga rrjedhat artistike, kulturore dhe politike të Europës, e vuajtet i ka transmetuar në art, por edhe në publicistikë. Prandaj, para se ta përdorni Fishtën për t’sha Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për t’pa ç’dashuri të madhe ushqen ai për kombin e shtetin dhe për Europën.
E unë jam i bindur se, sikur vepra e Fishtës të lexohej përnjëmend dhe sikur ne, shqiptarët, të këshilloheshim nga mendimet e tij shumë të vlefshme qëmoti do të ishim si krejt Europa, për ç’kauzë luftoi ai sa qe gjallë me të gjitha fuqitë shpirtërore dhe intelektuale.
E sot, po ta shihte Fishta se si citohen e abuzohen vargjet e tij poetike kundër Europës, kishte m’u trishtue e kishte me t’ia krisë satirës së ashpër kundër halldupëve e zuzarëve.