Sot në Kosovë nis regjistrimi i popullsisë

Prishtinë, 5 prill 2024 – Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njoftoi se sot (e premte) në Kosovë do të fillojë procesin e regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare. Regjistrimi do të zgjasë deri më 17 maj.

“Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat tuaja të banimit dhe banesat/shtëpitë më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

ASK bëri të ditur se zyrtarët e angazhuar duhet ta vizitojnë të paktën tri herë secilën shtëpi në të cilën nuk i gjejnë banuesit gjatë kohës së vizitës. Nëse nuk gjendet familje brenda shtëpisë, regjistruesi obligohet ta lërë numrin njoftues te dera, në mënyrë që familja të njoftojë kohën kur do të jetë në shtëpi. Po ashtu, familjes i jepet mundësia që ta caktojë vetë datën dhe orën e regjistrimit, duke e kontaktuar regjistruesin.

Në procesin e regjistrimit, është përfshirë për herë të parë edhe një pyetësor për të dokumentuar dëmet e shkaktuara nga lufta në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund të dëshmojnë për dëmet e shkaktuara në periudhën ndërmjet 28 shkurtit 1998 dhe 12 qershorit 1999.

AKS njoftoi se procesi i regjistrimit të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të bëhet përmes aplikacionit online.

“Qytetarët e lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por jetojnë jashtë Kosovës prej më shumë se 12 muajsh (kanë një vendbanim-shtetet tjetër rezident) regjistrohen përmes një aplikacioni online (www.ediaspora.rks-gov.net) gjatë gjithë periudhës së regjistrimit”, thuhet në njoftim.

ASK bën të ditue se pjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë është detyrim ligjor, ndërsa refuzimi i regjistrimit mund të penalizohet me gjobë nga 30 euro dedri në 2.000 euro për person.

ASK tha se informacionet e mbledhura gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejnë si bazë për vendimmarrje kritike për çdo segment të jetës, prej kujdesit shëndetësor, arsimit, zhvillimit e infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

AKS i siguron qytetarët se të dhënat personale të tyre do të anonimizohen dhe do të përdoren vetë për analiza statistikore.

“Të dhënat tuaja personale janë të mbrojtura me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ligjin për Statistikat Zyrtare dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të dhënat do të anonimizohen dhe do të përdoren vetëm për analiza statistikore”, thuhet në njioftim.

ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

(r.m.)