Sot pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Kurti e përsërit ofertën për marrëveshje politike

Prishtinë, 8 gusht 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të sqarojë sot se si duhet vepruar për konstituimin e Kuvendit, pasi deputetët e zgjedhur nuk arritën ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar nga kjo gjykatë, i cili skadoi më 26 korrik.

Muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese i urdhëroi deputetët të mos ndërmarrin asnjë vendim apo veprim deri më sot (e premte, 8 gusht), në lidhje me themelimin e organit ligjvënës, derisa ajo të shqyrtonte dy lëndë lidhur me këtë çështje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se partia e tij do ta rfespektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, cilido qoftë ai.

Ndërkaq, të premten, ai tha se “mosmarrëveshjet politike nuk i zgjidh gjykata” dhe kujtoi se këtë e kishte thënë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 26 qershorit. Njëkohësisht, i akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se nuk bënë asnjë lëvizje drejt arritjes së marrëveshjers politike, por e quan çështjen përsëri në Kushtetuese

““Ne kemi ofruar dy kompromise. I pari ka qenë që, nëse me votim të fshehtë nuk zgjidhet Albulena Haxhiu atëherë ne do të sjellim një emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për një paketë ku përfshihen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër. Gjykata, përmes një vendimi paraprak, na ka thënë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare, sepse ajo nuk zgjidh mosmarrëveshjet politike, menjëherë dy partitë kryesore opozitare sërish e dërguan çështjen në Kushtetuese.Nëse Gjykata Kushtetuese thotë ‘uluni dhe merruni vesh’, ju nuk shkoni sërish në Gjykatë për të dërguar raste të reja. Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, nuk e kemi bërë këtë. Ndërkaq, PDK-ja dhe LDK -ja menjëherë kanë shkuar në gjykatë, thua se nuk ekziston një aktgjykim paraprak. Ne e kemi respektuar aktgjykimin dhe jam unë që kam shkruar letra për t’u takuar, për të bashkëbiseduar në frymë bashkëpunimi dhe me konsulta konstruktive, mirëpo deri më tani nuk kemi pasur sukses. Është dëm që nuk është konstituuar Kuvendi, në mënyrë që të themelohet qeveria e re”, tha Kurti.

Mbetet e paqartë nëse Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë edhe kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën ajo e tërhoqi, për shkak se e vlerësoi si rrezik për sigurinë e vendit shqyrtimin e kësaj çështjeje nga gjyqtari serb Radomir Llaban.

Presidentja Osmani kishte kërkuar sqarime për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar prej kësaj gjykate, deri më 26 korrik. Kushtetuesja, në aktgjykimin e saj të parë, të publikuar më 26 qershor, nuk kishte treguar se cilat janë pasojat juridike të moszbatimit të vendimit të saj.

Ka jurist që mendojnë se Kushtetuesja ka juridiksion të vendosë për zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve sipas detyrës zyrtare, pavarësisht nga tërheqja e kërkesës së Presidentes, sepse kjo gjykatë e ka pezulluar procesin me vendimin për masë të përkohshme,

(r.m.)