Spahiu: Projekt statuti i propozuar për Asociacionin cenon parimet e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 14 maj 2023 – Ish ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur me 2 maj në Bruksel, cenon parimet themelore të pavarësisë së Kosovës.

“Lidhur me Asociacionin, të jetë një bashkim komunash që nuk rrezikon aspak sovranitetin e Kosovës, por që ju bën të mundur serbëve të Kosovës që ta pranojnë Kosovën si vendin e tyre”, tha ai.

Zoti Spahiu vlerëson se çfarëdo zgjidhjeje për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, duhet të vlejë edhe për pakicat tjera në rajon, përfshirë pakicën shqiptare luginën e Preshevës në Serbi.

“Do të ketë zhvillime të tilla, është diçka e paevitueshme, madje lidhur edhe me pakicat tjera që jetojnë ta zëmë në Serbi, Maqedoni dhe vende të tjera. Prandaj në njëfarë mënyre kjo hap kutinë e Pandorës që të ndodhin situata të tilla. Natyrisht gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është të mos e quaj alarmante, për shkak të një diskriminimi pasiv që po organizohet”, tha ai.

Zoti Spahiu aktualisht udhëheq Këshillin e Ambasadorëve të Kosovës, i cili, thotë ai, synon mes tjerash mbështetjen e vendit në realizimit të interesave shtetërore në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Tanimë Kosova ka mbi 50 ish ambasadorë që kanë shërbyer dhe që nuk janë më në shërbim. Ata duan që ta japin kontributin e tyre në aspektin e këshilldhënies dhe të mbështetjes pa pagesë të ministrisë sonë të Jashtme apo të kujtdo qoftë që dëshiron t’i ketë shërbimet tona”, tha ai.

(Zëri i Amerikës)