SPAK dërgon në gjykim të akuzuarit për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja

Tiranë, 28 maj 2024 – SPAK njoftoi të martën se kishte zbardhur tentativat e vrasjes ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe disa personave të dyshuar si të përshirë në aktivitet kriminal.

Të martën Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim çështjen ndaj Plaurent Dervishaj, i njohur si pjesë e të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”,  Julian Meçaj, Bledar Polovinën, Amar Shkëmbin (alias Dritan), Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Julian Meçaj, Genti Nderjakut,  Bashkim Haxhijas dhe Julian Pjetrit, të akuzuar për një sërë atentatesh dhe vrasjen e të ndjerit Andi Maloku.

Prokuroria bëri me dije se anëtarët e këtij grupi akuzohen për të paktën tre atentate ndaj Arjan Ndojës dhe Aleksandër Lahos (Pëllumb Muharremit) dhe të afërmve të tyre, përfshi atë të nëntorit 2019, ku mbeti i vrarë shoferi i Ndojës, Andi Maloku. Po ashtu anëtarët e grupit akuzohen për organizimin e atentatit ndaj e Mitri Priftit.

“Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet Benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

SPAK bën me dije se dy anëtarë të dyshuar të këtij grupi dhe pjesëmarrës në këtë atentat janë tashmë dyke u gjykuar. Redian Rraja u dënua me burg për jetë në korrik të vitit që shkoi si një prej autorëve të atentatit. Ariol Halilaj, bashkëpunëtori tjetër u dënua me 35 vjet burg në shkallën e parë.

Prokuroria thotë se nga hetimet e rastit dhe pas analizës së komunikimeve të kriptuara u administruan prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje.

“Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, thuhet në njoftim.

SPAK rendit një sërë akuzash për personat e përfshirë në këtë grup, përfshi vrasje, vjedhje, krijim i rrethanave për vrasje dhe atentate me eksploziv.

(Reporter.al)