SPAK dërgon për gjykim dosjen e Rezart Taçit e të tjerëve, akuzohet për pastrim parash

Tiranë, 28 tetor 2022 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Kerimit të Organizuar njoftoi të premten përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes ndaj biznesmenit kontrovers të naftës Rezart Taçi dhe disa të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij dhe pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Prokuroria bëri me dije se Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë akuzohen për “veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal””.

Taçi u shpall në kërkim për këto akuza një vit më parë në nëntor 2021, ndërsa dy të akuzuar si bashkëpunëtor të tij u arrestuan në Tiranë. Të dyshuar të tjerë si pjesë e grupit u ndaluan në Itali, përfshi 91 vjeçarin  Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”, i cili u la me masë sigurimi arresti në shtëpi.

Ata akuzohen se bënë përpjekje për të pastruar një shumë prej 18,3 milionë Euro të cilat prokuroria thotë se i bllokoi “në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri”.

Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi.

“Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë proçedim penal është arritur në përfundimin se të pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundërligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria tha se ishin mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar.

Rezart Taçi njihet si biznesmen hidrokarburesh prej dy dekadash, por kulmin e tij e arriti gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013. Përmes një procesi të paqartë, ai arriti të blinte kompaninë e përpunimit të naftës, ARMO, që e dorëzoi më pas tek azerët, me një mal me borxhe, që solli rrënimin e saj.

Në vitin 2012, Rezart Taçi qëndroi pas ofertës 850 milionë euro për privatizimin e kompanisë tjetër shtetërore të naftës, Albpetrol, por shuma nuk u derdh asnjëherë dhe kompania nuk u privatizua. I hetuar atëherë në Shqipëri për një sërë veprash penale, Taçi nuk u dërgua asnjëherë në  gjyq dhe u largua në drejtim të Zvicrës.

(Reporter.al)