Tiranë 10 shtator 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të mërkurën se i ka përfunduar hetimet dhe i ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka dhe për 15 personave të tjerë, përfshirë pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë të Veliajt e Xoxës.
Prokuroria njoftoi se hetimet provuan marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste.
“Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas SPAK, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.
Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.
“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera edhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe biznesmenët apo bashkëpunëtorët e çiftit: Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci. Përveç tyre, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Përveç personave fizikë, në dosje janë përfshirë edhe 7 shoqëri tregtare: Rametal shpk, Agi Kons shpk, Kontakt shpk, Palushi shpk, Fusha shpk, Gerard-A shpk dhe Lani shpk, të cilat sipas hetimit kanë dhënë përfitime të parregullta në këmbim të lejeve ndërtimore dhe fondeve publike.
Sipas SPAK-ut, OJF-të “Eventus”, “Muza”, “BYL-A”, “Frobolous” dhe “Harabel” janë përdorur për të futur në sistemin bankar shuma të mëdha parash të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke e fshehur origjinën e tyre.
Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt dhe masa e sigurisë ndaj tij është konfirmuar nga gjykatat e posaçme të shkallës së parë, ajo e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Përmes rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, Veliaj ka ndërmarrë nga qelia një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që vendosën masën e sigurisë ndaj tij. Ai angazhoi gjithashtu në mbrojtje të tij edhe dy studio ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani britanike të marrëdhënieve me publikun.
Kryebashkiaku i Tiranës është politikani më i lartë në detyrë i arrestuar nga SPAK dhe çështja kundër tij shihet nga komuniteti ndërkombëtar si një test për pjekurinë e reformës në drejtësi. Pavarësisht se ndodhet prej 7 muajsh në burg, Veliaj vazhdon të mbajë formalisht funksionin e kryebashkiakut, të cilin ia ka deleguar nënkryetares së bashkisë, Anuela Ristani.