SPAK dërgon për gjykim rrjetin e mikrokredisë që i mashtronte qytetarët në nevojë

Tiranë, 23 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal prej 16 individësh dhe 4 kompanish të akuzuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.

Sipas SPAK, grupi vepronte si një strukturë e vetme, duke përdorur të njëjtin sistem kompjuterik, duke ndarë burimet financiare dhe duke qarkulluar stafin mes subjekteve, në funksion të një skeme kriminale që synonte pasurimin e paligjshëm në kurriz të qytetarëve në vështirësi ekonomike.

Të pandehurit akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në listën e të pandehurve përfshihen gjithashtu edhe katër persona juridikë: “Micro Credit Albania” sh.p.k., “ADCA” sh.p.k., “Final” sh.p.k. dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”.

Hetimet tregojnë se për më shumë se nëntë vite, këto kompani kanë shumëfishuar në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përmes interesave ditore deri në 2%, duke ushtruar presion dhe kërcënime telefonike ndaj debitorëve dhe familjarëve të tyre.

Në disa raste, detyrimet janë kaluar te familjarët pa lidhje me kredinë fillestare, ndërsa pasuritë e qytetarëve janë sekuestruar dhe kaluar në pronësi të kompanive përmes ankandeve fiktive.

Pasojat e skemës janë jo vetëm financiare, por edhe sociale, pasi mijëra qytetarë kanë pësuar bllokim të llogarive bankare për vite të tëra, ndërsa dhjetëra prona janë sekuestruar në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro në llogaritë bankare, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve. Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e të gjitha aseteve të kompanive “MCA” dhe “Final”.

SPAK ka dorëzuar dosjen për gjykim, duke kërkuar përgjegjësi penale për një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar të organizuar në vend vitet e fundit.

(Reporter.al)