SPAK dërgon për gjykim tre mbështetës të Partisë Socialiste, të akuzuar për blerje votash

Tiranë, 7 nëntor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 7 nëntor, përfundimin e hetimit dhe dërgimin për gjykim të një çështje penale në ngarkim të tre personave të akuzuar për blerje votash në Qarkun e Lezhës për të mbështetur Partinë Socialiste gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gersi Kaçorri akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, ndërsa Besnik Uka e Artur Jahja për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.

Sipas SPAK, të pandehurit gjatë fushatës zgjedhore, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe u dhanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.

Hetimi evidentoi se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të Partisë Socialiste, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit vërejti se Partia Socialiste, PS në pushtet përdori gjerësisht burime publike në fushatë. Sipas raportit, PS përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit. Po ashtu, u raportuan shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë, mungesë e informimit të pavarur mediatik, blerje votash dhe përfshirja e elementëve kriminalë.

(Reporter)