Tiranë, 9 janar 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të premten, më 9 janar, për përfundimin e hetimeve dhe kalimin për gjykim të një çështjeje penale në ngarkim të shtetasve Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, të akuzuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal të krijuar me qëllim trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Italisë.
Hetimi ka filluar mbështetur në kërkesën e autoriteteve italiane, konkretisht të Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria e Distriktit Antimafia, në lidhje me një procedim penal të vitit 2021. Autoritetet italiane kanë qenë duke hetuar një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë të cilët vepronin në Shqipëri, në qytetet Durrës e Tiranë; në Amerikën Latine në Ekuador dhe Panama; ndërsa në Itali në provincën e Pizës, Piemontes dhe Trevizos. Pikënisje e hetimeve ka qenë një kontroll i kryer nga Guardia di Finanza në portin e Livornos në mars të vitit 2021, kur janë kapur disa shqiptarë teksa po nxirrnin një ngarkesë kokaine të mbërritur nga Amerika Latine.
Të akuzuar si anëtarë të këtij grupi janë Albert Turja, Roland Turja, Alfred Veshti, Klodian Veshti, Maksim Ndoci, Luca Koci, Aurel Zhupa, Ionut Pislariu, Errico D’Ambrosio, Vincenzo Di Corso, Mario Spiritoso, Fabio Consale.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen se kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador. Sasia blihej në Kolumbi dhe ishte e destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, që përbëheshin kryesisht nga shqiptarë, rumunë dhe italianë.
Gjatë viteve 2021-2022 janë sekuestruar në tetë raste sasi kokaine neto, në total 888 kg.
I pandehuri Maksim Ndoci akuzohet për rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2 mars të vitit 2022 në portin e Livornos, si dhe për rolin i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto të ardhur nga Ekuadori në janar të po atij viti.
Për të pandehurin Juljan Kollçaku, SPAK sqaron se provohet përfshirja e tij në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos në mars të 2022-it e të sekuestruar një muaj më vonë në Frattamaggiore të Napolit. Po ashtu, akuzohet për trafikimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila janë sekuestruar mbi 4 kg netonë qershor të vitit 2022.