SPAK e dërgon në gjykim çështjen penale ndaj kardiokirurgut Edvin Prifti

Tiranë, 24 dhjetor 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën më 24 dhjetor të pranojë kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekut Edvin Prifti.

Ai akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Prifti i ka mohuar akuzat.

Prifti u vendos nën akuzën e SPAK më 11 shkurt 2021, si pjesë e një hetimi të nisur ndaj 12 personave të tjerë që dyshohej se synonin të lironin disa të burgosur në burgun e Fushë-Krujës kundrejt përfitimeve monetare. Prifti vetë u akuzua se mund të kishte marrë rryshfet për operimin e nënës së njërës prej sekretareve të gjykatës së Krujës, që ishin asokohe nën përgjim.

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Edvin Prifti të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Po ashtu, prokuroria pretendon se Prifti është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe paisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rrijtjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore, si edhe për të justifikuar shumat e derdhura cash në llogaritë e këtyre bizneseve, vlera që më pas janë tërhequr prej tij dhe janë depozituar në llogaritë personale.

Sipas hetuesve, i pandehuri në këtë mënyrë ka justifikuar burimet e të ardhurave pa origjinë të ligjshme, që sërish kanë mbetur të pajustifikuara plotësisht. Këto veprime cilësohen nga organi i akuzës si tregues i qëllimit të vërtetë të të pandehurit, që është fshehja dhe mbulimi i natyrës së burimit të të ardhurave nga veprimtaria e dyshuar e korrupsionit. Bazuar në këto rrethana, është ngritur ndaj tij akuza për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa akuza e vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës, i referohet një episodi që lidhet me një grant nga një fondacion.

(Reporter)