SPAK e dërgon për gjykim çështjen penale ndaj Rezart Taçit

Tiranë, 13 shkurt 2024 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 13 shkurt të pranojë kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes penale nga ngarkim të Rezart Taçit, ish-biznesmenit kontrovers të naftës që akuzohet për veprat penale të pastrimit të parave, grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Taçi u shpall në kërkim për këto akuza në nëntor 2021, ndërsa dy të akuzuar si bashkëpunëtorë të tij u arrestuan asokohe në Tiranë. Të dyshuar të tjerë si pjesë e grupit u ndaluan në Itali, përfshi 91 vjeçarin Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”, i cili u la me masë sigurimi arresti në shtëpi.

Ata akuzohen se bënë përpjekje për të pastruar një shumë prej 18,3 milionë Euro të cilat prokuroria thotë se i bllokoi “në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri”. Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtarja Flojera Davidhi pasi ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes ndaj Taçit, duke rrëzuar kërkesat e të pandehurit për pushimin e hetimit dhe të revokimit të vendimarjes për caktimin e masës së sigurimit personal, “Arrest në burg”.

Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimarje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor.

 (Reporter.al)