SPAK e godet një grup kriminal, arrestohen 7 nga 13 të dyshuarit për trafik të kokainës nga Amerika Latine

Tiranë, 11 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të premten për kryerjen e një operacioni të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuar për trafikun e tonelatave të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Operacioni është shtrirë në qarqet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, ku janë ekzekutuar 7 nga 13 masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme.

Mes të arrestuarve ndodhet edhe ish-shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, Erjon Dani, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas SPAK, Dani dyshohet se ka vënë në dispozicion të grupit kriminal të dhëna nga sistemi TIMS.

Hetimet, të nisura në vitin 2023, janë bazuar në komunikime të përgjuara nga drejtësia franceze përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC.

Sipas SPAK, nga analizimi i këtyre të dhënave ka rezultuar se të ardhurat nga trafiku i kokainës janë përdorur për të ndikuar në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim lehtësimin e masave të sigurimit apo dënimeve për anëtarë të grupit.

Në total janë identifikuar 13 të dyshuar, të cilët akuzohen se në periudhën 2020–2021 kanë trafikuar mbi 3.5 ton kokainë, rreth 700 kg kanabis dhe 4.2 kg heroinë në shtatë episode të ndryshme.

Pjesë e hetimeve është edhe një episod i janarit 2021, kur një pjesëtar i grupit, në bashkëpunim me të tjerë, dyshohet se ndihmoi kalimin e paligjshëm të 55 shtetasve sirianë drejt Italisë me gomone.

Gjithashtu, Prokuroria njoftoi se janë dokumentuar tre raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në vendimmarrjen e funksionarëve publikë, kundrejt përfitimeve që arrinin deri në 7,500 euro.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia janë sekuestruar pesë automjete, dhjetra mijëra euro cash, armë zjarri, municione, kokainë, tetë telefona celularë dhe dokumente të ndryshme. Një pjesë e hetimeve i është kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, pas gjetjes së armëve në banesën e një shtetasi.

Ndaj gjashtë prej të dyshuarve është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, pasi ata dyshohet se ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

(Reporter.al)