Tiranë, 26 nëntor 2025 – Komisioni i Përzgjedhjes pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i përbërë nga drejtuesi i këtij institucioni, Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Behar Dibra, vendosi të mërkurën më 26 nëntor që t’i përcjellë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e Joni Ketës si drejtuesin e ardhshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Keta mban aktualisht postin e zv.drejtorit në BKH.
“Komisioni i Përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në mbledhjen e tij të datës, 26.11.2025, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z.Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar,” njoftoi SPAK.
Joni Keta u përzgjodh si fitues nga komisioni mes kandidatëve të tjerë që plotësuan kriteret, prokurori Andi Pogaçe dhe oficerëve të policisë, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.
Bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, kandidati që rekomandohet nga Komisioni i Posaçëm emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
Keta pritet të zëvendësojë ish-drejtoren e BKH-së, Aida Hajnaj, mandati i të cilës u deklarua i përfunduar prej KLP-së më 9 shtator.