SPAK i kërkoi Kuvendit të hapë rrugë për arrestimin e Belinda Ballukut

Tiranë, 16 dhjetor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që zëvendëskryeministres Belinda Balluku t’ia heqë imunitetin dhe të autorizojë arrestimin e saj.

Më 31 tetor të këtij viti, SPAK-u ka ngritur aktakuzë ndaj Ballukut, nën dyshimet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së disa tenderëve me vlerë dhjetëra miliona euro.

SPAK njoftoi të martën se, përveç dy hetimeve të mëparshme për tunelin e Llogarasë dhe për një lot të Unazës së Madhe, Balluku është person në hetim për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Tenderat e rinj janë: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Të gjithë këta tendera u zhvilluan në të njëjtën kohë në shtator 2021.

Sipas një hulumtimi të BIRN, gjashtë nga shtatë tenderat e Unazës së Madhe u dhanë për shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që kanë marrë pjesë në garë, 35 sosh ose 73%, u skualifikuan. Në disa raste, kompani të mëdha u përjashtuan nga gara për mungesë të dokumentacionit bazik, si mosparaqitja e listës së stafit, ndërsa në disa raste të tjera u përjashtuan për kritere teknike të pazakonta, si mungesa e një licence specifike për zhurmat. Disa kompani të tjera morën pjesë në garë në mënyrë fiktive. Ekspertët thonë se zakonisht këto janë tendera me probleme.

Balluku dhe ish-drejtues të Agjencisë për Rrregullimin e Territorit në Shqipëri, ARRSH, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, fillimisht u akuzuan se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese.

Më 20 nëntor, SPAK kishte njoftuar se në tendering për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ishin evidentuar veprime të kundërligjshme të Ballukut.

“Në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues”, ka thënë SPAK.

Balluku dyshohet se ka orientuar procedurën e prokurimit publik edhe për Unazën e Jashtme të Tiranës. Për këtë akuzë, më 20 nëntor të këtij viti, SPAK vendosi për pezullimin e saj nga detyra e zëvendës-kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe për ndalimin e udhëtimeve jashtë shtetit.

Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi publikisht edhe ligjërisht vendimin e SPAK. Ai i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të rrëzojë vendimin e SPAK-it për pezullimin e Ballukut deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe deri në interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta, por edhe legjislacioni procedural penal”.

Gjykata Kushtetuese vendosi për pezullimin e vendimit të SPAK-ut dhe njoftoi se vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën për shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra për Ballukun do ta marrë në janar të vitit të ardhshëm.

(r.m.)