SPAK kërkon 2 vjet e 6 muaj burg për Fredi Belerin

Tiranë, 13 shkurt 2024 – Prokuroria e Posaçme kërkoi të martën më 13 shkurt deklarimin fajtor të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe dënimin e tij me 2 vjet e gjysmë burg.

Ndërkaq, për të pandehurin Pandeli Kokaveshi, i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit, prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet heqje lirie dhe pezullimin e masës ndëshkimore për arsye shëndetësore, me kusht që të paraqitet pranë shërbimit të provës për katër vjet.

Para se prokurori Adnan Xholi të paraqiste kërkimet përfundimtare ndaj të pandehurve, Beleri kërkoi të bënte një deklaratë, gjatë së cilës ai e akuzoi gjykatën se ishte në funksion të SPAK-ut dhe kryeministrit Edi Rama.

Prokurori Xholi lexoi në mënyrë të përmbledhur konkluzionet përfundimtare, duke pretenduar se ishte e provuar se Beleri kishte ofruar shuma parash për votat në favor të zgjedhjes së tij, me ndihmën edhe të të pandehurit tjetër.

Në seancë nuk ishin të pranishëm avokatët e Belerit, por ai u mbrojt nga avokati i të pandehurit tjetër. Përfaqësuesi ligjor i Kokaveshit kërkoi një javë kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare dhe gjykata e shtyu seancën për më datë 28 shkurt, në orën 14:30.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan në minutat e para të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.

(Repoerter.al)

Comment

*