Tiranë, 26 qershor 2025 – Prokuroria e Posaçme paraqiti të enjten, më 26 qershor, konkluzionet përfundimtare ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe gjashtë të pandehurve të tjerë të akuzuar për vrasje dhe porositje të tyre, grup të strukturuar kriminal, korrupsion dhe armëmbajtje pa leje, që u ndaluan në kuadër të operacionit të njohur si “Metamorfoza” në korrik të vitit 2023.
Çështja penale është ndarë, ku tre prej të pandehurve Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviq dhe Edmond Preka po gjykohen veçmas për akuzat për vrasje. Ndërsa për sigurimin e kushteve për vrasje dhe veprat e tjera penale, për të cilat u pranua gjykimi i shkurtuar për të shtatë të akuzuarit, të enjten u arrit që të plotësoheshin kushtet për të paraqitur kërkimet përfundimtare nga ana e SPAK.
Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kërkuan para gjykatës që Pëllumb Gjoka të shpallej fajtor për pesë akuza dhe të dënohej me 14 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 9 vjet e 4 muaj heqje lirie. Në këtë proces, Gjoka akuzohet për veprat penale të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje, korrupsionit pasiv, armëmbajtjes pa leje, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Për të njëjtat vepra penale u kërkua dënimi i Behar Brajoviq me 15 vjet burgim, që përfiton nga gjykimi i shkurtuar uljen e 5 viteve. Ndaj të pandehurit Edmond Preka, i akuzuar për sigurim të kushteve për vrasje në një rast, për armëmbajtje pa leje dhe grup të struktruar kriminal, u kërkua dënimi më 11 vjet burgim që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 7 vjet e 4 muaj. Për Astemer Bilalin u kërkua dënimi me 10 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 vjet e 8 muaj burgim. Për të njëjtat vepra penale u kërkua dënimi me 9 vite burgim ndaj ish-funksionarit të policisë Ardit Hasanbegaj që përfiton uljen e 3 viteve burgim nga gjykimi shkurtuar.
Ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-drejtori i njësisë së Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe zbulim të të dhënave sekrete. Për Litën u kërkua dënimi me 6 vjet burgim, që mbetet 4 vjet heqje lirie, ndërsa për Bistrin mbi të cilin rëndon dhe akuza e pastrimit të parave u kërkua dënimi me 9 vjet, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 vjet burg.
Po ashtu, SPAK kërkoi konfiskimin e tre automjeteve të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe një automjet të të pandehurit Behar Brajoviq. Tjetër kërkesë u krye dhe për konfiskimin e 1.3 milionë eurove pasuri të Oltion Bistrit.
Gjatë seancës gjyqësore të enjten, avokati i zgjedhur nga i pandehuri Edmond Preka nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore. Ndërkohë, Preka u shpreh se nuk ishte dakord të mbrohej nga avokati kryesisht dhe kërkoi shtyrje të seancës. Edhe disa prej avokatëve të të pandehurve të tjerë këmbëngulën të shtyhej seanca, me argumentin se Prekës duhej t’i ofrohej mbrojtje. Megjithatë, gjykata vendosi vijimin e gjykimit që sërish u ndërpre nga disa prej avokatëve që ngritën pretendime ndaj mënyrës se si duhej të lexoheshin nga prokurorët e SPAK konkluzionet dhe kërkimet përfundimtare. Pas diskutimeve u dakordësua që të lexoheshin në mënyrë të përmbledhur kërkimet përfundimtare mbi deklarimin dhe masat e dënimit.
Hetimi ndaj Gjokës dhe të pandehurve të tjerë filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.