Tiranë, 15 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kërkoi deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim.
Në këtë hetim të dytë në ngarkim të Goros, ai akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në cilësinë e kreut të Bashkisë së Himarës lidhur me procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.
Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, kërkoi dënimin e Goros me 2 vjet burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Po ashtu, u kërkua deklarimi fajtor i të pandehurit Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Për Strakoshën, prokurori Gokaj kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 1 vit heqje lirie.
Gokaj kërkoi gjithashtu që gjykata të vendosi kthimin e praktikave të sekuestruara institucioneve përkatëse, duke sjellë në vëmendje se këtyre enteve publike u lind e drejta që të zbatojnë përcaktimet e ligjit “Për përfundimin e procese kalimtare të pronësisë në republikën e Shqipërisë”, ku në raste të tilla parashikohet fshirja e regjistrimit të AMTP-së të konstatuar me probleme dhe regjistrimi i pronësisë shtetërore.
Përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kërkuan kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare dhe gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 30 korrik, në orën 11:00.
Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar, kur u arrestua si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, i shpallur investitor strategjik nga qeveria “Rama”. Për këtë çështje, Goro u deklarua fajtor dhe u dënua më 13 mars me 2 vjet e 20 ditë burg.