Tiranë, 27 janar 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 27 janar përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të një çështje penale në ngarkim të 10 personave të akuzuar për trafikim të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Të pandehurit janë Aldi Zonja, Artjon Çaushllari alias Gjika, Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez, Geis Sejfullai, Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano, Endi Sejdini dhe Baki Huqi.
Sipas SPAK, ka rezultuar e provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgatitur kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme për importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave me lëkurë gjedhësh, në brendësi të cilave u gjetën të fshehur 90 kg kokainë me vlerë tregu 3.6 milionë euro. Ngarkesat kanë mbërritur në Portin e Durrësit në muajin korrik dhe nëntor të vitit 2024 si edhe janë magazinuar në disa ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë.
Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se janë përfshirë dhe persona të tjerë, për të cilët janë veçuar aktet e procedimit penal.
Në njoftim sqarohet se ky hetim i filluar në 2023-in, rrjedh nga aktet e një procedimi të vitit 2022, kur janë marrë të pandehur 11 persona lidhur me importimin nga Kolumbia për në Shqipëri të një ngarkese me pleh organik artificial, prej nga do ekstratohej e përfitohej një sasi prej 485.5 kg kokainë. Për një prej këtyre të pandehurve, shtetas kolumbian vijon ende gjykimi, ndërsa 10 prej tyre u deklaruan fajtorë në qershor të vitit 2024.