Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe kërkon gjykimin për 11 anëtarë të krimit të organizuar në Tiranë dhe Elbasan, të akuzuar për vrasje, plagosje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë e me dhunë, ngjarje të ndodhura gjatë dy dekadave të fundit në disa qarqe të vendit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 15 maj përfundimin e hetimeve ndaj disa krerëve dhe anëtarëve të disa organizatave kriminale, që e kanë ushtruar dhe vijojnë veprimtarinë e tyre kriminale kryesisht në Tiranë, Durrës dhe në Elbasan. SPAK kërkon gjykimin e të pandehurve Suel Çela (Marjus Lulaj), Talo Çela, Eljo Bitri, Festim Qoli, Agron (Kamber) Mehja, Abedin Mama, Aleks Çela, Florenc Çapia, Ervis Martinaj, Alket Xhixha dhe Elvin Merlika, që akuzohen se përmes bashkëpunimit në cilësinë e grupit të strukturuar kriminal kanë kryer një sërë veprash penale të rënda, si vrasje, plagosje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë e me dhunë, etj..
Suel Çela akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë ndaj shtetasit, Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2022 në Tiranë, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të vrarë shtetasin Kastriot (Elton) Kile, në muajin mars të po atij viti.
Talo Çela është marrë i pandehur për vrasjen me paramendim të Fatmira Dedaj në shtator të 2013-ës në garazhin e një pallati në Durrës; tentativën e vrasjes së Arben Çetës në nëntor të po atij viti; vrasjen në rrethana cilësuese të Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në dhjetor të vitit 2019, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan; vjedhjen me dhunë në vitin 2011 të pasurive të Lirak Bajraktarit në Elbasan, të Skënder Roshit në Kavajë, të banesës së Hamit Haxhiut në Shijak në shkurt të 2013-ës, të pasurisë së Astrit Ademit në maj të po atij viti në Marikaj të Vorës e të banesës së Hamdi Sharkës në prill të vitit 2017; si dhe për vjedhjen me armë të pasurisë së shtetasit Xhemali Liçi në dhjetor të vitit 2012 në Elbasan.
I pandehuri Eljo Bitri akuzohet për shkatërrim me eksploziv të pronës së Mustafa Subashit në janar të vitit 2020 në Durrës; vrasjen në rrethana cilësuese të shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në mars të atij viti po në Durrës; vrasjen me paramendim të Emiljano Ramazanit në korrik të 2020-ës në Elbasan; dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Bengasi në janar të vitit 2020 në Tiranë; vjedhjen me dhunë të banesës së Hamdi Sharkës në prill të vitit 2017 në fshatin Polizhan të Beratit; si edhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Sokol Sanxhaktarit në korrik të 2020-ës në Elbasan.
Për vrasjen e Fatmira Dedaj në shtator të 2013-ës, së bashku me Talo Çelën akuzohet dhe Festim Qoli. Ky i pandehur akuzohet dhe për vrasjen me paramendim të djalit të saj, Elvis Dedajt, në qershor të vitit 2012 në Durrës. Qoli akzuzohet se ka bashkëpunuar me Bitrin për dhunimin e Blerta Bengasit në janar të 2020-ës, si dhe për shkatërrimin me eksploziv të pronës së Mustafa Subashit në Durrës.
Agron (Kamber) Mehja dhe Aleks Çela akuzohen për tentativë vrasje të Arben Çetës në nëntor të vitit 2013 në Labinot-Fushë të Elbasanit; Abedin Mama është marrë i pandehur për bashkëpunimin me Talo Çelën në vrasjen në rrethana cilësuese të Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në dhjetor të vitit 2019; Florenc Çapia është marrë i pandehur për sigurimin e kushteve dhe mjeteve së bashku me Eljo Bitrin për të kryer vrasjen Sokol Sanxhaktarit në Elbasan; Alket Xhixha, Elvin Merlika dhe Ervis Martinaj, ky i fundit i shpallur në kërkim policor pas zhdukjes së tij tre vjet më parë, akuzohen për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Indrit Dokles në muajt prill-maj të vitit 2022.
Provat për këto krime, disa të ndodhura më shumë se një dekadë më parë u zbuluan bazuar në dëshminë e anëtarëve të krimit të organizuar të penduar, si dhe nga të dhënat e siguruara prej përgjimeve të aplikacioneve SKY-ECC.
SPAK sqaron se është duke vijuar hetimet për të dokumentuar aktivitetin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këto ngjarje kriminale.