SPAK kërkon gjykimin e katër personave për korrupsion në zgjedhje

Tiranë, 29 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 29 korrik përfundimin ndaj katër shtetasve të akuzuar për korrupsion aktiv e pasiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, si dhe dërgimin e kësaj çështje në gjykatë për kalimin në gjykim. Në njoftim bëhet me dije se të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj akuzohen për “korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Sipas SPAK, nga hetimi kësaj çështjeje rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.

Prokuroria thotë se individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar nga 5000 lekë për votë për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë.

Nga hetimet me metoda speciale është konstatuar se i pandehuri Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik, që nuk u identifikua nga ana e SPAK.

Prokuroria sqaron se të pandehurit Ndrekë Lera dhe Ilir Sokol, akuzohen se u kanë dhënë para dy të pandehurive të tjerë, Ndoc Guri e Arben Kolaj.

(Reporter.al)