Tiranë, 25 qershor 2025 – Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të mërkurën më 25 qershor konkluzionet përfundimtare ndaj tetë të pandehurve për aferën e sterilizimit, procesi ndaj të cilëve është duke u zhvilluar me gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë që gjykimi ndaj ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të vijojë me procedure të zakonshme, pas ndarjes së çështjes në seancën e 28 majit, prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kërkuan deklarimin fajtorë të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepajt, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
Për ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznemsnenin Ilir Rrapaj u kërkua dënimi me nga 10 vjet burgim që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për secilin; ndaj të pandehurve Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Marsela Serjani u kërkua dënimi me 3 vjet e 6 muaj burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar masa me 2 vjet e 4 muaj dhe për Arben Gjatën, Genc Burazerin e Naile Ajazin u kërkua masa e dënimit me 2 vjet që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 1 vit e 4 muaj. Për Mersinin, Gjatën, Burazerin e Ajazin, u kërkua që të vendoset pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja e tyre në shërbim prove.
Hetimet e prokurorisë zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Prokurorët Kondili e Nakuçi e akuzuan dhe kërkuan gjykimin e Beqajt për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim; ish-zv/ministrin Rrjepaj për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre; biznesmenin Ilir Rrapaj për mashtrim; ndërsa gjashtë të pandehurit e tjerë u akuzuan për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Gjatë seancës paraprake më 21 janar, bazuar në aktet hetimore, gjyqtarja Flojera Davidhi u bëri ftesë prokurorëve që të ndryshonin akuzat për Beqajn, Rrjepajn dhe Rrapajn. Në përfundim, ish-ministri dhe zëvendësi i tij u akuzuan për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturar kriminal”. Ndaj Rrjepajt u la dhe akuza e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa për Rrapajn u caktuan akuzat për vjedhje me pasojë të rëndë e kryer në bashkëpunim të posaçëm, dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtoi edhe Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post prej nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por, edhe në kohën e drejtimit të kësaj agjencie, ai u gjet përgjegjës për abuzime me fondet e Bashkimit Evropian, BE. Beqaj u dërgua për gjykim në fillim të muajit prill së bashku me 10 të pandehurit të tjerë dhe për këtë aferë korruptive me fondet e ndihmës nga BE nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave, përmes faturave fiktive.