SPAK: “Korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar”

Tiranë, 9 mars 2026 – Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka publikuae raportin e vitit 2025, ku është ndalur edhe tek korrupsioni i zyrtarëve të lartë.

Sipas raportit, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin, funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie.

Një formë e korrupsionit, thuhet në raport, është edhe manipulimi në procedurat e prokurimit publik, ku sipas SPAK prokurimet publike nuk janë përdorur si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën.

“Hetimet kanë evidentuar se procesi i prokurimit publik manipulohej në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratave. Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat konkurrentëve keq vlerësoheshin eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës, ndërsa shpërndarja e fondeve është bërë për shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë edhe projekte me donatorë ndërkombëtarë. Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën”.

Sipas raportit, “hetimet kanë treguar se, korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar, duke përfshirë funksione të ndryshme administrative dhe publike. Në rastet e prokurimeve dhe legalizimeve të pronave, zyrtarët përfitonin nga ana monetare për të favorizuar procedurat, duke bashkëpunuar me operatorë ekonomikë dhe duke manipuluar dokumentacionin dhe fondet limit të tenderave.

Në sektorin e policisë dhe kontrollit doganor, skemat përfshinin korrupsion aktiv dhe pasiv, ku shpërblimet jepeshin për të shmangur kontrollet dhe për të lehtësuar aktivitetet e paligjshme. Këto veprime siguronin rezultate të parapërcaktuara dhe kanë cenuar konkurrencën dhe transparencën në shërbim të interesave të individëve të përfshirë”, thekson raporti i SPAK-ut.

1

Korrupsioni në drejtësi

SPAK thotë se treguesit e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në sistemin e drejtësisë përfshin individë me funksione publike, përfshirë prokurorë, gjyqtarë, oficerë të policisë gjyqësore dhe avokatë.

“Në disa raste, këta individë kishin kërkuar ose pranuar përfitime të paligjshme për të favorizuar pozita procedurale ose për të lehtësuar masa sigurie ndaj personave të akuzuar. Përfitimet nuk lidheshin me shërbime profesionale, por përdoreshin si instrument ndikimi ndaj vendimeve të drejtësisë. Përveç përfitimeve materiale, keqpërdorimi i funksioneve zyrtare, si mosreferimi i veprimeve korruptive ose devijimi nga procedurat ligjore, lehtësonte shmangien nga përgjegjësia penale, duke minuar integritetin e institucioneve dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor”, thekson raporti i SPAK.

(Panorama)