SPAK kundërshton pretendimet e ish-deputetit Plarent Nderca për pavlefshmëri provash

Tiranë, 2 prill 2026 – Ish-deputeti socialist, Plarent Nderca ka pretenduar se veprimet hetimore nga SPAK për regjistrimin e emrit si person nën hetim dhe këqyrjen e celularit janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe jurisprudencën e gjykatave më të larta, por prokurorja Dorina Bejko i kundërshtoi ato si të pabazuara dhe paraqiti në gjykatë argumentet për hetimet e kryera.

Prokurorja e posaçme, Dorina Bejko paraqiti të enjten më 2 prill në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e ish-deputetit socialist, Plarent Ndreca, i cili ka kundërshtuar mënyrën e hetimit të kryer nga ana e prokurorisë ndaj tij, duke kërkuar pavlefshmërinë e akteve dhe të dhënave mbi të cilat bazohet akuza e ngritur ndaj tij për shkelje të barazisë në tendera.

Ndreca dhe një grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të disa institucioneve, akuzohen se nën udhëheqjen e tij, favorizuan në shkelje të ligjit arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë. Në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale, Ndreca mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Nga sa u diskutua mes palëve në seancën e të enjtes, Ndreca pretendon se në kohën kur është kryer përgjimi i tij, SPAK ka parashtruar në gjykatë se ishte i dyshuar për veprën penale për të cilët po hetohej dhe duhej të ishte regjistruar emri i tij si person nën hetim. Sipas Ndrecës, kështu do t’i lindte e drejta të të jepte shpjegime dhe të kundërshtonte veprimet e prokurorisë që i konsideron të paligjshme.

Prokurorja Bejko u shpreh se është në vlerësimin e prokurorit se kur do të regjistrohet emri i personit në procedimin penal. Sipas saj, nuk mund të regjistrohet emri personit nën hetim, nëse nuk janë siguruar prova që të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm. “Prokurori ka proceduar me regjistrimin e emrit si person nen hetim, kur ka vlerësuar se plotësonte kushtet”, u shpreh Bejko.

Lidhur me lejimin e përgjimeve, prokurorja vërejti se duhet të plotësohet ndër të tjera edhe kushti se, personi për të cilin kërkohet të vendoset nën përgjim, dyshohet se ka lidhje me faktin. “Kishte dyshim të arsyeshëm se ai kishte lidhje me këtë procedurë tenderimi, por jo se provohej fajësia për tu regjistruar procedimi ndaj tij. Nëse provat do të ishin të mjaftueshme për të provuar veprën penale, përse duheshin kryer veprime të tjera hetimore”, argumentoi prokurorja Bejko dhe theksi se nuk mund të ngatërrohet kjo rrethanë për të pretenduar se emri duhej regjistruar si person nën hetim që në fillim, përpara kryerjes së përgjimeve.

Sipas Bejkos nuk ka asnjë cënim të dispozitave ligjore në urdhrin për regjistrimin e personit nën hetim për rastin e Ndrecës. Ajo shtoi se vërtetohet nga aktet se Ndrecës i janë respektuar të gjitha të drejtat për t’u njohur me provat.

Për pretendimin tjetër të ngritur nga Ndreca, për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të celularit të sekuestruar arkitektit Radovani, Bejko solli në vëmendje se Gjykata Kushtetuese në kërkesën me të cilën është kundërshtuar sekuestrimi dhe kqyrja e telefonit, nuk ka vlerësuar që të ketë efekt prapaveprues, por është përcaktuar të jetë orientues në praktikat e ardhshme. Sipas saj, qëllimi kryerjes së verifikimeve ka qenë vetëm për të mbledhur të dhëna për hetimin dhe për të zbuluar veprën penale. “Nuk thuhet nga Gjykata Kushtetuese se të dhënat e marra janë në kudërshtim me ligjin dhe janë të papërdorshme”, u shpreh Bejko ndër të tjera.

Bazuar në këto të konstatime, prokurorja Bejko e cilësoi të pabazuar pretendimin e Ndrecës se këqyrja e celularit është kryer në kundërshtim me ligjin.

Ndreca replikoi kundrejt qëndrimeve të SPAK, duke pretenduar se ai nuk ishte kundër kryerjes së përgjimeve, por theksoi se kundërshton mënyrën se si prokuroria e ka orientuar kërkesën, duke u shprehur se ishte i dyshuar për veprën penale, nga për rrjedhojë ka qenë në kushtet e personit nën hetim. “Prandaj duhej të kishte bërë regjistrimin dhe mua do më kishin lindur të drejtat procedurale për të bërë kundërshtimet”, tha Ndreca dhe shtoi se nga veprimet e prokurorisë duket se procesi është i paragjykuar dhe i paravendosur.

Lidhur me këqyrjen e celularit, ai tha se nuk mund të ndërhyhet në korrespodencën në aplikacionin ‘Whatsapp’ dhe solli në vëmendje jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Ndreca u shpreh se të drejtat e njeriut mund të kufizohen vetëm me ligj.

Me një vendim të korrikut të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese i vendosi kufij praktikës së sekuestrimit të telefonit nga SPAK, duke gjetur cënim të lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës në rastin e sekuestrimit të një telefoni celular dhe urdhëroi asgjësimin e të dhënave që nuk kanë lidhje me procedimin penal.

Ndreca e cilësoi të pavërtetë pretendimin e prokurorisë se nuk ka ndikim në këtë çështje vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Ai pretendoi se nisur nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, veprime e prokurorisë me celularin janë të paligjshme. “Korrespodenca ka një mbrojtje të posaçme. Shteti duhet të garantojë fshehtësinë e korrespodencës”, tha Ndreca.

Pasi palët paraqitën pretendimet, gjykata e shtyu seancën për më datë 10 prill, në orën 12:00.

(Reporter)