Tiranë, 19 qershor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 19 qershor përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të gjashtë zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderin për Lotin 1 të Unazës së Re, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë, pa TVSH.
Të pandehur janë marrë Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erion Zemenaj dhe Admir Pahumi, që janë marrë përgjegjës për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, hetimi bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë pa TVSH, i vitit 2019. Hetimi është ndarë nga një procedim tjetër i regjistruar pranë SPAK në vitin 2022.
“Nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit”, citohet në vendim.
Tenderi i parë për ndërtimin e këtij aksi të Unazës së Re, me fond limit po prej 2.25 miliardë lekësh, u hap në shtator 2018 dhe u fitua nga kompania DH Albania, një kompani fantazmë.
Pasi në emisionin TPZ u publikuan të dhëna që tregonin se kompania ishte me të vërtetë fantazmë dhe se ajo kishte furnizuar në ARRSH një tufë me dokumente të falsifikuara, u nis hetimi. ARRSH pranoi atëherë se dokumentet ishin të falsifikuara dhe vendosi të rihapë tenderin, që dështoi disa herë të shpallte fitues bashkimin e operatorëve Salillari shpk dhe Bajrami N shpk. Gjatë procesit të prokurimit, u skualifikuan të gjithë operatorët e tjerë konkurrues, përveç fituesit.
Hetimi i mëparshëm për këtë aferë i kryer nga Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë vetëm 28-vjeçarin Avdjol Dobi, administrator i kompanisë DH Albania për falsifikim në përfitimin e dy tenderave me vlerë totale 3.4 miliardë lekë. Dobi u dënua me 6 muaj burg, ndërkohë që prokuroria pushoi hetimet për zyrtarët e ARRSH, OST dhe Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë.