Tiranë, 6 mars 2026 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimitt ë Organizuar, SPAK e ka njoftuar ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, për përfundimin e hetimeve ndaj tij, bashkëjetueses Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes Albina Mançka për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë në lidhje me aferën e incineratorëve.
Nga hetimi u evidentuan të dhëna që tregojnë se si taksapaguesit shqiptarë financuan përmes biznesmenëve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e të tjerë, jetën luksose të ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, krahas zyrtarëve të shumtë socialistë.
Hetimet e SPAK kanë identifikuar pagesa fiktive nga pronarët e incineratorëve drejt ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në së paku 491 mijë euro, si dhe dy vila në bregdet. Sipas SPAK, një vilë luksoze në ‘Green Coast’ u sigurua përmes transaksioneve të papaguara për ish-bashkëshorten ndërsa një e dytë, u sigurua për bashkëjetuesen në Hamallaj, ku punimet u bënë falas nga një kompani që pati fituar tenderë të rindërtimit.
Ahmetaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, ndërsa dy të pandehurat e tjera për pastrim parash. Pritet që në ditët në vijim, dosja hetimore të përcillet nga SPAK drejt Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për kalimin e çështjes në gjykim.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori i cilëson të pambështetura në prova akuzat e SPAK ndaj Ahmetajt, bashkëjetueses dhe ndaj ish-bashkëshortes së tij.
“Është vetëm një teoremë akuzatore. Akuzat janë të pambështetura në prova. I akuzuari nuk ka qenë asnjëherë pjesë e procedurve të incineratorëve. Akuzat për pastrim parash janë të pambështetura në prova, si dhe nuk ka korrupsion. Kurse bashkëshortja dhe ish-bashkëshortja janë viktima të një teoreme akuzatore,” tha Ligori për BIRN.
Një investigim i BIRN i afro gjashtë viteve më parë ekspozoi faktin se biznesmeni Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, si dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës, qëndronte në hijen e koncesioneve të mbetjeve në Shqipëri, përmes një rrjeti kompanish satelite.
Hetimet e SPAK dhe gjykatat gjetën përgjegjës për aferat korruptive të tre incineratorëve ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri, Alqi Bllako, si dhe dhjetëra zyrtarë e funksionarë të tjerë të inctitucioneve shtetërore, përfshi dhe të bashkive respektive. Biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët janë në qendër të këtyre skemave korruptive janë ende në arrati.
Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë ‘Rama’ për shpalljen e një emergjence mjedisore, që justifikoi dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Më pas, të njëjtat kompani morën koncesione për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës.