SPAK procedon dy persona për blerje votash në Kukës në favor të PSD

Tiranë, 13 maj 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 13 maj se ka regjistruar procedim penal për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” ndaj kryeplakut të fshatit Lusen në Kukës dhe një personi tjetër që akuzohen për blerje votash në favor të Partisë Socialdemokrate, subjekt politik që drejtohet nga Tom Doshi. Sipas SPAK, hetimi filloi mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

“Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive u kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa shtetasve në Qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025”, citohet në njoftim dhe sqarohet se gjatë një operacioni mbrëmjen e 10 majit, është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P., të cilit i janë gjetur me vete dhe sekuestruar rreth 205 mijë lekë dhe 525 euro, një aparat celular dhe një automjet i llojit Mercedes Benz. Ndërkohë, është është shpallur në kërkim shtetasi G.P., me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim”, citohet në njoftim dhe shtohet se po vijohen hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat, të cilët morën shumat monetare në këmbim të votave të tyre.

(Reporter.al)