SPAK njotoi sekuestrimin e pasurive në emër të një biznesmeni, pjesë e grupit që transferonte paratë e drogës nga Zvicra drejt Shqipërisë, përmes skemës “Hawala”.
Prokuroria e Posaçme njoftoi të hënën sekuestrimin e pasurive të një biznesmeni, i cili po hetohet si një prej anëtarëve të grupit të strukturar kriminal për transferimin e parave të përfituara nga shitja dhe trafikimi lëndëve narkotike, nga Zvicra drejt Shqipërisë. Po ashtu, janë sekuestruar dhe pasuritë e zotëruara në mënyrë indirekte prej tij. Sipas SPAK, grupi mbante gjendje monetare në Shqipëri në mënyrë që shumat t’i paguheshin porositësit apo bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri, menjëherë pas depozitimit të parave në Zvicër. Në këmbim të kësaj, ata përfitonin 6% të vlerës së transferuar.
Në njoftimin e së hënës thuhet se janë sekuestruar shoqëria tregtare “Ferizaj-78” me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, si dhe të gjitha asetet e kësaj shoqërie; njësi me sipërfaqe totale 161.67 m2 e blerë në vitin 2017 për 200 mijë euro; vilë 2 kate në Lalëz të Durrësit e blerë në vitin 2019 prej 80 mijë eurosh; shuma monetare prej 77 mijë frangash zviceriane.
Po ashtu, janë sekuestruar dhe pasuri që zotërohen indirekt nga një tjetër person, konkretisht shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.
SPAK bëri me dije se nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave, janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68 milionë lekësh, të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.