Tiranë, 29 mars 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 29 mars sekuestrimin e pasurive të kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.
Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderave në këto ente publike. Për të mundësuar marrjen e rryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderave të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij. Së bashku me Berberin u vendosën në pranga dy javë më parë edhe Valter Begaj, pronari komanisë që përfitonte tenderat dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.
Sipas SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak Valter Begaj dhe administrator Ervis Lamen, shoqëri e kontrolluar prej Berberit. Por ashtu, janë sekuestruar pasuritë e blera nga kjo shoqëri, pesë ngastra toke të llojit “arë” në Mangull të Tiranës me sipërfaqe totale 34 mijë e 235 m2. Në njoftim sqarohet se “sekuestro preventive” është vendosur vetëm mbi pjesët takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 7 automjete.