Tiranë, 6 dhjetor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, u ankua të premten më 5 dhjetor për zvarritjen tej afateve procedurale të gjykimit në seancë paraprake të kërkesës për kalimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenëve të përfshirë në korrupsion e pastrim parash.
SPAK sqaron se procedimi është dërguar për t’u kaluar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë më datë 10 shtator dhe se seanca e parë e gjykimit paraprak është caktuar më datë 29 shtator. “Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyrë 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale”, citohet në njoftim. Sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Penale, kërkesa për gjykim duhet të shqyrtohet brenda një afati 30-ditor.
Lidhur me pretendimet e përsëritura të Veliajt për njohjen me aktet e procedimit penal, SPAK thotë se ka përmbushur plotësisht detyrimet që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale, duke shpjeguar se brenda afatit të pandehurit dhe avokatit të tij i është njoftuar përfundimi i hetimeve paraprake. Po ashtu, i është bërë me dije e drejta për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre.
Sipas SPAK, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj kanë marrë më datë 24 korrik një kopje të akteve të procedimit penal, pa asnjë shpenzim. Në njoftim nënvizohet se ky fakt është dokumentuar me procesverbal, që është nënshkruar nga njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj. SPAK sjell në vëmendje se i njëjti avokat i Veliajt, në një kërkesë të mëvonshme për vendosje në dispozicion të një kopje të akteve për hetimet shtesë, në shkresën e tij shprehet se më datë 23 korrik janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal.
Prokurorët e çështjes theksojnë se, mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe nuk përfshin prokurorinë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Kërkesa të njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e faktit të gjithë niveleve.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.