SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, kryhen kontrolle në banesat e familjarëve të saj

Tiranë, 29 prill 2026 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, ka urdhëruar të bëhen kontrolle të reja në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për abuzime me tenderat e rrugëve qindra miliona eurosh.

Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan për News 24 se me vendim të gjykatës janë miratuar të paktën 15 kontrolle në kuadër të dosjes “Balluku”, përfshirë dhe familjarë të saj.

Burimet konfirmojnë se është ushtruar kontroll në banesën e Mired Recit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, por edhe të personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë.

Reci rezulton se ka qenë ortak me 49 për qind të aksioneve në dy kompani: “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk.

Ortaku tjetër është Meland Qirko, kunati i zv.kryeministres Balluku, i martuar me motrën e saj, Pamela Qirko.

Gjatë këtyre kontrolleve që i pasojnë ato të dhjetorit 2025 dhe janarit të këtij viti, mësohet se janë sekuestruar sërish celularë, dokumente që, sipas prokurorëve, i shërbejnë hetimit të çështjes.

Në kuadër të hetimit, prokurorët e posaçëm kanë kërkuar informacion edhe jashtë vendit, përmes letërporosive.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për lotet e Unazës së Madhe në Tiranë, që kapin vlerën e qindra miliona eurove.

Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve.

Mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e ka rrëzuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit për Ballukun, për të hapur rrugë për arrestimin e saj.

Nisur nga kontrollet e fundit dhe fazën e re në të cilën kanë hyrë hetimet, mbetet për t’u parë nëse prokurorët e posaçëm do ta përsëririn kërkesën për leje për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë së Shqipërisë.

(BalkanWeb)