SPAK sekuestron edhe një pronë të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në ‘Kodrën e Diellit’

Tiranë, 22 maj 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten, më 22 maj, se ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e kanë regjistruar dhe veprën penale të  fshehjes së pasurisë, pasi dyshohen se gëzojnë pronësi faktike edhe në dy pasuri të tjera që nuk i kanë deklaruar.

Sipas SPAK, nga të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri, një prej të cilave shtesë, që janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, në rezidencën Kodra e Diellit, në pronësi të tyre.

Gjithashtu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestron e këtyre dy pasurive të regjistruara në emër të një subjekti tregtar.

Procedimi penal ndaj kryebashkiakut Veliaj, bashkëshortes së tij dhe të hetuarve të tjerë është regjistruar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive…”, “Deklaratat e rreme  përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjatë një dekade në krye të Bashkisë së Tiranës, 45-vjeçari Erion Veliaj fabrikoi imazhin e një zyrtari punëtor, por nën këtë fasadë të kuruar me kujdes, fshihej sipas SPAK edhe një skemë e mirëmenduar dhe komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar ryshfete, udhëtime ose pasuri të paluajtshme nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi.

Këto ryshfete dyshohet se i transferoheshin familjes së kryebashkiakut kryesisht nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe familjarët e saj, nëpërmjet faturave fitktive. Xoxa sipas SPAK i shpenzoi një pjesë të të adhurve të paligjshme për shpenzime luksi në internet.

Ajo gjithashtu akzohet se ndihmën e kryetares së Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Busha, tentuan që të ‘helmojnë’ provat dhe të ndikojnë tek dëshmitarët, në përpjekje për të fshehur të vërtetën. Veliaj gjendet në paraburgim që prej 10 shkurtit me masën e “arrestit në burg”.

(Reporter.al)