Specialja anulon seancat e gushtit të gjyqit ndaj Thaçit e të tjerët për veprën kundër administrimit të drejtësisë

Hagë, 3 gusht 2026 – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, njoftuan se i kanë anuluar seancat e caktuara për muajin gusht të rastit Thaçi e të tjerët.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçit akuzohen për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në njoftim thuhet se gjykatësi Christopher Gosnell i ka anuluar seancat e planifikuara për datat 17-19 gusht 2026 si edhe afatet e caktuara në urdhrin e dytë për caktimin e datave, pas njoftimit të mbrojtjes së Smakajt se nuk do të paraqiste prova të reja.

Në njoftim bëhet e ditur se gjykatësi Gosnall e ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që deri më 4 gusht 2026 të dorëzojë mocion për paraqitjen e kundërprovave. Në qoftë se ZPS nuk do të paraqesë mocion, faza e paraqitjes së provave do të mbyllet dhe gjykatësi planifikon afatet për palët. Deri më 24 gusht 2026, në orën 16:00, duhet të dorëzohen dosjet gjyqësore përfundimtare të palëve, më 4 shtator 2026 duhet të dorëzohen dosjet e kundërpërgjigjeve të palëve, kurse më 10, 11 dhe 14 shtator 2026 do të paraqiten argumentet përmbyllëse.

Sipas aktakuzës, Thaçi, personzalisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me Grupin Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu) kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në seancën fillestare të këtij rasti, më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

(r.m.)

Comment

*