Hagë, 13 maj 2025 – Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë konfirmoi se konferenca për medie e kryetares, Ekaterina Trendafilovës, e cila ishte planifikuar të mbahej të martën në Prishtinë, u anulua për shkak të protestës së veteranëve të UÇK-së.
“Nuk ishte e mundur që veprimtaria të mbahej sot për shkak të protestave të veteranëve dhe të tjerëve, ku u hodhën bomba tymuese që u bënë për të penguar mbajtjen e takimit”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
“Duke njohur të drejtën demokratike për protestë paqësore, DHSK-ja shpreh keqardhjen që në situatën e sotme gazetarët u penguan që t’i bënin pyetje vetë Kryetares së Gjykatës”, thuhet në njoftim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi protestë kundër vizitës sot kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pasi vlerësoi se kjo gjykatë është selektive dhe ka qëllim njollosjen e UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës.
Gjatë protestës, hyrja e hotelit ku duhet të mbahej konferenca ishte blinduar nga Njësia Speciale e Policisë e Kosovës, ndërsa protestuesit brohoritnin vazhdimisht “UÇK”, “UÇK”… Protestuesit hodhën edhe bombola tymuese, për të penguar mbajtjen e konferencës së Trendafilovës.
Njoftimi i plotë:
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) shprehin keqardhjen për anulimin e detyruar të konferencës për shtyp të planifikuar për sot me gazetarët, në interes të sigurisë publike dhe sipas këshillimit nga Policia e Kosovës
Duke mbajtur parasysh se gjykimet mbahen jashtë Kosovës, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë synim të mbajnë vazhdimisht të informuar publikun në Kosovë lidhur me proceset gjyqësore në Hagë, për informacion të përditësuar, objektiv dhe transparent. Ky ishte qëllimi i vizitës së Kryetare Trendafilovës në Kosovë këtë javë dhe gjithashtu i takimeve me gazetarët në Kosovë si takimi që ishte planifikuar sot, ku mediat mund të bëjnë pyetje dhe dëgjojnë përgjigje nga gjykata
Nuk ishte e mundur që veprimtaria të mbahej sot për shkak të protestave të veteranëve dhe të tjerëve ku u hodhën bomba tymuese që u bënë për të penguar mbajtjen e takimit. Duke njohur të drejtën demokratike për protestë paqësore, DHSK-ja shpreh keqardhjen që në situatën e sotme gazetarët u penguan që t’i bënin pyetje vetë Kryetares së Gjykatës.
DHSK-ja mbetet e angazhuar për informimin në mënyrë transparente të publikut dhe gazetarëve në Kosovë në lidhje me ecurinë e procese gjyqësore në Hagë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.
(r.m.)