Specialja reagon ndaj shqetësimeve të Avokatit të Popullit: Trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor të provave

Hagë, 13 janar 2026 – Dhomat e Specializuara të Kosovë me seli në Hagë, e njohur me emërtimin Gjykata Speciale, ka reaguar ndaj shqetësimeve të Avokatit të Popullit në Kosovës, Naim Qelaj, të shprehura në një letër drejtuar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova.

Reagimi i Dhomave të Specializuara fokusohet ekskluzivisht në shqetësimet e Qelajt për pranimin e dokumenteve zyrtare nga autoritetet serbe.

Në reagim thuhet se pranimi i dokumenteve nga Serbia nuk është tregues se sa të besueshme do të konsiderohen nga gjykatësit.

“FAKT: Një vendim për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk është tregues sa peshë ose besueshmëri do t’u japin gjykatësit atyre, në qoftë se do t’u japin peshë. Ky vendim merret në kuadër të aktgjykimit në fund të paraqitjes së provave”, thuhet në reagimin e Speciales në X.

Në reagimin e Dhomave të Specializuara thuhet gjithashtu se trupi gjykues vlerëson secilën provë duke mbajtur parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Speciales.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në letrën drejtuar kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka ngritur shqetësime edhe për disa mangësi themelore procedurale, për mbështetjen në materiale të publikuara në libra apo medie për zhvillimet në Kosovë dhe për mënyrën e trajtimit të masës së paraburgimit nga Specialja.

(r.m.)