Spiropali në Prishtinë: Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Prishtinë, 25 shkurt 2026 – Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, deklaroi të mërkurën në Prishtinë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtë të Shqipërisë. Ajo theksoi se forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes nacional i Shqipërisë.

“Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtësisht me të gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo nuk është retorikë sovraniteti e as formulë diplomatike, por është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, përveç se është dëshirë e jonë e zemrës”, tha Spiropali pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Spiropali tha se Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne besojmë që Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe politika e zgjerimit e BE-së duhet të përdoret si një armë e fuqishme gjeostrategjike e BE-së për të mos lejuar që Ballkani Perëndimor të influencohet nga forca malinje, apo të ndikohet në procese që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.

“Kosova ka dëshmuar qartësi euroatlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional”, theksoi ajo, ndërsa heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e cilësoi si “domosdoshmëri”.

Spiropali e përsëriti qëndrimin se shtetit të saj lidhur me dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi se dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë të dy shteteve.

“Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe në rajonin tonë të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet, jo si akt presioni, por si hap të domosdoshëm për normalizim të vërtetë”, tha ajo.

Spiropali foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ajo tha se Shqipëria “nuk ndërhyn në drejtësinë ndërkombëtare”, por theksoi se “drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv”.

“Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta, nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik”, theksoi ajo.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca tha se takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë takime diplomatike, por takime vëllazërore.

“Vendet tona janë shumë më tepër dhe takimet tona janë takime vëllazërore”, tha Konjufca, duke shtuar se takimi me homologen e tij nga Tirana është zhvilluar në këtë frymë.

Konjufca bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveritë e të dy vendeve. Ai tha se Kosova është e përkushtuar t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tash.

Konjufca tha se pret që Shqipëria të mbështesë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës e edhe anëtarësimin në NATO. Ai theksoi se kjo është me interes për dy vendet dhe mbarë rajonin.

“E ardhmja jonë dhe e kaluara jonë do të jenë të lidhura përgjithmonë”, theksoi ai.

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, u prit në Prishtinë edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Hashiu, dhe nga Kryeministri Albin Kurti.

Ajo do të takohet në Prishtinë edhe me udhëheqësit e forcave kryesore politike në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e Spiropalit në Kosovë si shefe e diplomacisë së Shqipërisë. Ajo, e shoqëruar nga nikoqiri i saj, Glauk Konjufca, e nisi atë me vizitën në kompleksin memorial “Adem Jashari” dhe në kullën e familjes Jashari.

“Prekazi është dëshmia se liria ka pasur çmim”, ka thënë ajo në një videoregjistrim nga vizita e saj në Prekaz.

(r.m.)