Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Prishtinë, 27 nëntor 2024 – Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën, pak para mesnatës, është sulmuar stacioni policor në Zveçan, në oborrin e të cilit janë hedhur dy granata dore, nga persona të panjohur. Në njoftim thuhet se sulmi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Me datën 26.11.2024 rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e Stacionit Policor në Zveçan. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar”, thuhet në njoftim.

“Në lidhje me këtë rast, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante të cilat kanë kryer vendshikimin, gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet më tutje në njoftim.

“Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi. Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit, të banuar me shumicë serbe, ka nisur ndërtimi i nënstacionit të Policisë së Kosovës. Kurti bëri të ditur se një javë më parë kishte filluar edhe ndërtimi i nbënstascionit të policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës.

Beogradi zyrtar e kundërshtoin ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore në katër komunat veriore të Kosovës, me arsyetimin se kjo do të shtojë “presionet” ndaj serbëve. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë kategiorikisht deklarimet e Beogradit. Ai ka thënë se kapacitet e Policisë së Kosovës në veri punëojnë për sigurinë e qytetarëe të të gjitha komuniterteve.

(r.m.)

Comment

*