Stano: Kurti duket i vendosur për hapjen e Urës së Ibrit, përkundër këshillave të miqve të Kosovës

Bruksel, 10 gusht 2024 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një intervistë për mediumin N1 në gjuhën serbe, ka shprehur qëndrikmet e Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi dhe për situatën aktuale në Kosovë.

Stano ka pranuar se dialogu nuk po zhvillohet siç ishte menduar, për shkak të situatës së krizës  vazhdueshme, për të cilën ai e ka fajësuar Kosovën, të cilës ai i referohet si “Prishtina”, siç i referohet Beogradi zyrtar.

“Problemi që po e hasim gjithnjë e më shumë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është se jemi vazhdimisht në situata krize, në situatë që të zgjidhim krizat. Dhe kjo nuk është mirë. Sepse në fillim të këtij mandati, kur kemi iniciuar vazhdimin e dialogut, ne kemi shpresuar se do të kemi progres, se do të jemi në gjendje të ndihmojmë Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një progres në procesin e normalizimit. Fatkeqësisht, ne po shohim gjithnjë e më shumë lëvizje të njëanshme dhe veprime të pakoordinuara. Fatkeqësisht, shumica e tyre vijnë nga administrata në Prishtinë. Bastisja gjegjësisht mbyllja e tetë filialeve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës është për keqardhje dhe kjo është shkelje e marrëveshjes për dialogun – është e njëanshme, e pakoordinuar, me ndikim negativ në popullatën vendase. Prandaj nga autoritetet kërkojmë që të rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe t’i kthehen dialogut me ide konstruktive se si të zgjidhet problemi që e kanë. Ndërsa ata thonë se i kanë arsyet e tyre për t’u marrë me problemin me veprime të tilla. Ne duam të shohim angazhim dhe dialog në vend të lëvizjeve të njëanshme”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së e ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur kundër planit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve. Ai ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket i vendosur për hapjen e urës, ndonëse  BE-ja dhe vendet e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) e kanë këshilluar që të mos e bëjë këtë në mënyrë të njëanshme.

“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Për fat të keq, situata në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh të rrethanave politike të vështira. Prandaj ne kemi thënë vazhdimisht se kjo është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe, sikurse të gjitha çështjet problematike, duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse e keni një problem, atëherë atë e zgjidhni me dialog dhe jo me vendime të njëanshme.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian, të gjitha vendet e QUINT-it, pra të gjithë miqtë e Kosovës – SHBA-të,  vendet kryesore evropiane dhe Bashkimit Evropian – shkuan te kryeministri Kurti dhe i thanë: ‘Mos e bëj këtë! Mos bëj lëvizje të njëanshme! Mos e hap urën! Por, ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj ne thamë ‘jJo’, kjo të ketë efekte shumë negative’. Ne kërkojmë nga autoritetet që të parandalojnë dhe  të shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe në përshkallëzim më të madh. Sepse kjo i lëndon njerëzit në terren dhe ju dëmton edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të SHBA-së për shkak të veprimeve të përsëritura që është dëshmuar se çojnë në përshkallëzim. Kjo nuk i ndihmon askujt. Përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”, është shprehur zëdhënësi i BE-së.

Stano i ka hedhur poshtë vlerësimet se BE-ja ka dështuar në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se dialogu i ka pasur disa rezultate, duke e veçuar Marrëveshjen e Ohrit, mosbatimin e së cilës e ka cilësuar si dështim të palëve dhe jo të BE-së.

“Dialogu është në ngërç dhe është në ngërç sepse dy aktorët kryesorë të dialogut nuk duan të flasin, madje edhe kur flasin nuk mund të bëjnë lëvizje për të arritur kompromiset e nevojshme me interes për qytetarët e tyre. Në fakt, ata po i dëmtojnë qytetarët e tyre. Por, nëse e shikojmë historinë më shumë se dhjetëvjeçare, dialogu ka pasur momente të mira dhe të këqija. Ka një sërë marrëveshjesh që janë arritur dhe një sërë gjërash që janë përmirësuar në jetën e njerëzve. Për shembull, kemi arritur një marrëveshje për telekomunikacionin, marrëveshje për shumë gjëra, për gjëra të vogla, të cilat kanë ndikuar te njerëzit në terren. Sigurisht, njerëzit përqendrohen gjithmonë në gjërat negative. Po, nuk është arritur shumë praktikisht, por pastaj e kemi një ngecje disa vjeçare. Pastaj në vitin 2020, kemi arrituar ta rifillojmë dialogun, pas një pauze. Ne e emëruam një përfaqësues special për dialogun, kështu që tani e kemi një person që po ia kushton tërë kohën e tij duke ndihmuar Kosovën dhe Serbinë. Ne ramë dakord, ndihmuam Serbinë dhe Kosovën të arrinin të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit dhe tani kemi një kornizë. Këto janë piketa që askush nuk guxonte t’i ëndërronte më parë. Ne po l٥vizim përpara ngapak ose të paktën BE-ja po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar partnerët ta bëjnë këtë. Përsëri, nëse ata nuk janë në gjendje të zbatojnë Marrëveshjen, të përmbushin atë që është premtuar, atëherë nuk do të ketë përparim. Megjithatë, ky nuk është dështim i dialogut, por dështim i atyre që nuk janë në gjendje të flasin”, ka thënë ai.

(r.m.)