Steinmeier kërkon që Kosova t’i përmbushë kushtet për anëtarësim në BE e KiE

Berlin, 2 tetor 2024 – Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka thënë homologes nga Kosova, Vjosa Osmani, se duhet të punojnë për t’i krijuar kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Steinmeier u takua me Osmanin të mërkurën në Berlin.

Në një njoftim në Facebook të presidentit Steinmeier thuhet se Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Pëerndimor dhe i mbështetet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat evropiane.

“Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, theksoi Presidenti Federal gjatë bisedimeve. Vendi duhet të punojë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës në Gjermani.

Ndërkohë në njoftimin e Presidencës së Kosovës për takimin thuhet se Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit të vendit tonë, por edhe në rrugën euroatlantike.

“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar Osmani, sipas njoftimit.

Procesin e Berlinit, Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.

“Në takim me presidentin  Steinmeier, Presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve. Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftim.

Osmani ka mbërritur në Gjermani që nga e marta. U takua edhe me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock.

(Koha.net)

Comment

*