Uashington, 25 maj 2023 – Lideri i milicisë së krahut të djathtë, Stewart Rhodes, është dënuar me 18 vjet burgim për rolin e tij në trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan, më 2021.
Rhodes, themelues i Oath Keepers, është dënuar nën akuzat për komplot rebelizmi dhe krime tjera.
Ai ka qëndruar jashtë Kongresit më 6 janar 2021, mirëpo ka qenë pjesë e planeve se kush duhet të hyjë në ndërtesë.
Ky është dënimi më i gjatë ndaj një personi që ka marrë pjesë në trazira.
Prokurorët kanë kërkuar 25 vjet burgim.
Rhodes është dënuar vitin e kaluar për pengim të drejtësisë dhe manipulim me dokumente.
Në seancën e së enjtes, lideri i milicisë ka treguar pak pendim, dhe ka pretenduar se është i burgosur politik, duke insistuar se Oath Keepers, vetëm ka tentuar të mbrojë protestuesit tjerë.
Gjyqtari Amit Mehta i ka hedhur poshtë këto pretendime, dhe ka shprehur shqetësim për retorikën e dhunshme të Rhodes, duke përfshirë kërcënimet për të varur ish-udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Në trazirat e janarit të vitit 2021, mbështetësit e ish-presidentit, Donald Trump, e kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 – të cilat i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden – dhe kanë hyrë në ndërtesë të Kongresit.
Rhodes, ish-parashutist i ushtrisë amerikane dhe avokat i edukuar në Universitetin Yale, e ka themeluar grupin Oath Keepers më 2009.
Pjesëtarë të armatosur të këtij grupi kundër-qeveritar, janë parë në disa protesta, si dhe konsiderohen mbështetës të flaktë të Trumpit.
Dhjetëra prej tyre kanë qenë prezentë në trazirat në Kongres.
(REL)