Beograd, 16 gusht 2024 – Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, thotë se Beogradi zyrtar po i mban nën kontroll dhe po i manipulon serbët që jetojnë në veri të Kosovës, përmes premtimeve të rreme.
Në një postim në platformën X, Stojkoviq shkruan se barrikadat në Urën e Ibrit në Mitrovicë po u dërgojnë serbëve në veri të Kosovës mesazhinm se gjoja “veriu i Kosovës do të integrohet në Serbi dhe jo në Kosovë”.
“Pushteti në Beograd dëshiron të vazhdojë ta dërgojë këtë mesazh të rremë për të manipuluar serbët në veri të Kosovës dhe për t’i mbajtur ata nën kontroll, për tregti politikaneske në bashkësinë ndërkombëtare – tregtisë në interes të qeverisë dhe jo në interes të njerëzve, qytetarëve dhe popujve”, shkruan Stojkoviq.
“Kjo është e vetmja arsye pse autoritetet në Beograd i duan ende këto barrikada. Në fokusin e tyre nuk është interesi i serbëve të Kosovës”, thekson ai.
Postimi i plotë i avokatitr Stojkoviq:
Barrikadat në urën e Mitrovicës po u dërgojnë mesazh të rremë serbëve në veri të Kosovës se territori i veriut të Kosovës megjithatë do të integrohet në Serbi dhe jo në Kosovë. Pushteti në Beograd dëshiron të vazhdojë ta dërgojë këtë mesazh të rremë për të manipuluar serbët në veri të Kosovës dhe për t’i mbajtur ata nën kontroll, për tregti politikaneske në bashkësinë ndërkombëtare – tregtisë në interes të qeverisë dhe jo në interes të njerëzve, qytetarëve dhe popujve.
Kjo është e vetmja arsye pse autoritetet në Beograd i duan ende këto barrikada. Në fokusin e tyre nuk është interesi i serbëve të Kosovës.
Interes real i serbëve të Kosovës është barazimi i të drejtave të tyre me të drejtat e qytetarëve evropianë, gjë që mund të ndodhë vetëm përmes:
– hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare;
– pranimit të Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Barrikadat në urë i pengojnë këto procese dhe nuk i përfaqësojnë as trashëgiminë e Evropës, as trashëgiminë e Bashkimit Evropian. Ato nuk janë pasqyrim i së ardhmes që e dëshirojnë serbët, as në Serbi dhe as në veri të Kosovës. .
Lajthitjet që i imponon poushteti në Beograd kanë një kosto të madhe, e cila manifestohet me varfërimin e rajonit, sidomos të veriut të Kosovës, sepse aty ku ka konflikt të ngrirë ka edhe ekonomi të ngrirë.
Dhe aty ku ka ende barrikada në ura , ka edhe barrikada në investime dhe në zhvillim ekonomik.