Bruksel, 17 gusht 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet përsëri strehë për terrorizëm.
“Ata që tani e marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë nuk do të fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg, në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.
Ai ka thënë se NATO, ndonëse i ka tërhequr forcat nga Afganistani, do të vëzhgojë nëse do tw ketw rigrupim tw grupeve terroriste apo sulme nga distanca.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja është befasuar nga shpejtësia e fitores së talibanëve dhe pwr kwtw i ka fajësuar liderët politikw afganë.
“Një pjesë e forcave afgane të sigurisë kanë luftuar trimërisht. Mirëpo, ato nuk kanë mundur ta sigurojnë shtetin, sepse udhëheqësia politike afgane ka dështuar të përballet me talibanët dhe të arrijë zgjidhje paqësore, të cilën afganët e kanë kërkuar aq shumë”, ka thënë ai.
“Ky dështim i udhëheqësisë afgane ka çuar në tragjedinë që jemi duke e parë”, ka shtuar Stoltenberg.
Ai ka theksuar se qëllimi i NATO-s ka qenë që në Aganistan të ndërtojë një shtet të menaxhueshëm dhe jo të ketë prezencë të përhershme aty.
Një gazetare afgane ka thënë duke qarë se frikësohet për gjendjen e grave në Afganistan dhe ka lutur NATO-n të mos njohë i talibanët. Kjo e ka shtyrë Stoltenbergun të zotohet se Perëndimi do të mbajë përgjegjës talibanwt për respektimin e të drejtave të njeriut.
(r.m.)