Beograd, 26 prill 2025 – Demonstruesit në Serbi po përpiqen të tërheqin vëmendjen e ndërkombëtarëve. Pas grupit të çiklistëve që ishte në Strasburg, drejt Brukselit tani është nisur një grup vrapuesish.
Një grup studentësh serbë nisën të premten një ultramaratonë politike drejt Brukseli. Ata duan të përshkojnë pothuajse 2,000 kilometra brenda 18 ditësh, për të informuar përfaqësuesit e Parlamentit të BE-së rreth situatës politike në vend.
Sipas mediave serbe, grupi përbëhet nga 21 studentë. Vrapuesit që do të përshkojnë gjashtë vende, ndër to edhe Austrinë dhe Gjermaninë i shoqëron një automjet.
Kur u nisën të premten në mëngjes nga Novi Sad, një nga pjesëmarrësit tha se ata po vraponin për një “Serbi më të mirë dhe demokratike”.
Vetëm një javë e gjysmë më parë një grup prej 80 studentësh serbë që u nisën me biçikletënga Novi Sadi u takuan në Strasburg me përfaqësues nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës.
Në Serbi po zhvillohen prej disa muajsh protesta masive kundër qeverisë së Presidentit Aleksandar Vuçiq. Ato nisën pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor 2024.
Studentët, të cilëve po u bashkohen edhe gjithnjë e më shumë qytetarë, po i organizojnë protestat më të mëdha në historinë e Serbisë, Ata e akuzojnë Presidentin Vuçiq dhe qeverinë e kontrolluar prej tij për korrupsion, për mungesë të lirisë së mediave dhe për udhëheqje autoritare.
Si kundërpërgjigje, Presidenti Vuçiq organizoi një tubim me mbështetës të tij, për të treguar “mbështetjen e madhe popullore” që e gëzon në Serbi.
Sipas përfaqësuesve të studentëve protestues, opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile, pjesëmarrja në tubimin e Vuçiqit ishte shumë më e vogël se pjesëmarrja në protestën e organizuar nga studentët më 15 mars.
Javën e fundit, studentët protestues e bllokuan për tetë ditë me radhë ndërtesën e transmetuesit publik të Serbisëm, RTS, në shenjë pakënaqësie për raportimin për protestat dhe për politikën redaktuese.
Deri më tash, faktorët ndërkombëtarë janë rezervuar të shprehen lidhur me zhvillimet e gjashtë mujave të fundit në Serbi. Diplomatë të BE-së dhe SHBA-së janë mjaftuar me thirrje për shmangien e akteve të dhunës.
Këshilli për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian e ka miratuar raportin vjetor të raportuesit Tonino Picula, kërkohet që autoritetet serbe të mbrojnë të drejtën e protestës, të dënojnë akterët që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve paqësorë dhe të hetojnë çështjen e përdorimit të teknologjisë së ndaluar kundër protestuesve.
Në raport kërkohet gjithashtu edhe hapjen dhe demokratizimin e medieve në Serbi, shumica prej të cilave kontrollohen ose varen nga Vuçiqi dher qeveria e tij.
(r.m.)