Studentët shqiptarë protestuan në Shkup kundër diskriminimit gjuhësor në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 18 maj 2026 – Mijëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilëve iu bashkuan edhe kolegë të tyre nga Kosova dhe nga Shqipëria, protestuan sot në Shkup kundër diskriminimit gjuhësor të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

Ura e Gurit, ku u mbajt protesta me moton “Të gjithë njëzëri”, ishte e mbuluar kuq e zi dhe nga pankartat e shumta në të cilat kërkohej barazi gjuhësore në Maqedoninë e Veriut. Mbi këtë urë urën që është simbol i qytetit të Shkupit valonin qindra flamuj kombëtar shqiptar dhe pankartat: “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi”, “Ligji për gjuhët është i qartë”, e të tjera.

Mevlan Ademi, njëri nga organizatorët e protestës, në fjalën e tij, theksoi se e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore e publike të Maqedonisë së Veriut është e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë. Kjo nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese, e drejtë e fituar me Marrëveshjen e Ohrit. Sa kohë duhet një student të presë që të jap provimin në gjuhën e tij. Nuk ka institucion që mund ta prekë gjuhën shqipe, as Ministria e Drejtësisë as Gjykata Kushtetuese. Mos mendoni se me këtë që bëni do të zhduket gjuha shqipe. Gjuha shqipe nuk zhduket nga vendimet e zyrës. Ne kemi qenë para shumë pushteteve, e do të jemi pas shumë tjerëve. Kërkojmë institucione që respektojnë gjuhën tonë. Ne jemi zot në shtëpinë tonë. Nuk jemi kundër këtij shteti, jemi për barazi dhe korrektësi”, tha ai.

Përfaqësuesi i studentëve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup tha se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk kërkojnë privilegje, por kërkojnë barazi. Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve.

“Nuk iu kërkojmë privilegje, kërkojmë barazi. Ministër, je ulur në karrigen e popullit, paguhesh me djersën e prindërve tonë, mos e merr atë karrige për të mirëqenë. Shqiptarët kanë kaluar kohëra edhe më të vështira, por gjuha shqipe as nuk është zhdukur as nuk do të zhduket. Zbatoni ligjin, nuk jemi këtu vetëm për provimin e Jurisprudencës, jemi këtu për respektimin e gjuhës, për dinjitetin dhe barazinë tonë. Maqedonia e Veriut nuk është vetëm e maqedonasve, është e shqiptarëve, e turqve, e romve dhe e gjitha komuniteteve tjera që jetojnë këtu”, tha përfaqësuesi i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza”.

Besian Rexhepi nga Univesriteti i Evropës Jug-lindore në Tetovë u bëri thirrje autoriteteve që të trajtojnë seriozisht kërkesën e studentëve shqiptarë. Thirrja iu drejtua ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

“Pas protestës së parë pritëm reflektim dhe përgjigje, por ajo që morëm heshtje dhe vonesë, si dhe përpjekje për të relativizuar kërkesën tonë. Po e themi qartë, nuk do të lodhemi duke kërkuar të drejtat e tona. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë atë që është normale në çdo shtet. Si mund të na kërkojnë të ndërtojmë drejtësi nesër, kur sot ushtrojnë padrejtësi ndaj studentëve. Është çështje dinjiteti, barazie dhe e respektimit të qytetarëve të këtij vendi. I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë, që mos ta trajtojë këtë çështje me arrogancë institucionale”, tha Besjan Rexhepi.

Protesta filloi më vonë se sa ishte planifikuar për shkak se autoritetet shtetërore janë përpjekur në mënyra të ndryshme të pengojë pjesëmarrjen e më shumë studentëve në protestë. Ai tha se studentët nga Tetova, nga Kumanova, nga Gostivari dhe nga Tirana janë ndaluar nga policia me pretekste të ndryshme që të vonohen.

“Protesta pritet të fillojë në çdo moment, por policia ka ndaluar studentët nga Tirana dhe po kontrollon një nga një. Edhe studentët nga Tetova dhe Kumanova janë ndaluar nëpër pika pagesore”, tha Besian Ademi.

Ai tha se studentët nga Tirana që ishin nisur për në Shkup janë ndaluar, janë kontrolluar një nga një dhe janë devijuar në autostradë drejt Kumanovës.

“Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Polici, edhe ju duhet të na mbroni”, u shpreh ai.

Ndwrkaq, studentwt nga Kosova janë ndaluar në vendkalimin kufitar në Bllacë. Me pretekst se sistemi i kontrollit eketronik të pasaportave ishte bllokuar.

Studentët kanë bërë thirrje që kërkesave të tyre t’u bashkohen edhe artistë, sportistë dhe figura publike nga gjithë hapësira gjeografine shqiptare dhe nga diaspora.

Pjesëmarrësit e protestës më pas marshuan nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke thirrut “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Gjuha shqipe amanet” dhe “Fillkov dorëheqje”.

Në një deklaratë gjatë marshimit, studentët i drejtuan mesazh ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, duke e akuzuar për mungesë dialogu dhe i bëri thirrje të mos e trajtojë çështjen me arrogancë.

“Vetëm një shoqëri që i trajton të gjithë me barazi mund të ketë stabilitet dhe të ardhme evropiane. Studentët janë e ardhmja e këtij shteti e jo problem, prandaj sot edhe një herë i bëjmë thirrje Filkovit mos e trajtoni këtë çështje me arrogancë institucionale, sepse çdo vonesë është mesazh se sistemi nuk i dëgjon studentët” u shpreh një prej studentëve.

“Po ashtu i bëjmë thirrje kryeministrit, Hristija Mickoski, mos e lini këtë temë të mbetet deklarata për mediat. Dhe një mesazh për të gjithë përfaqësuesit shqiptar, sot kërkohet koordinim dhe angazhim, pa dallime partiake”, shtoi ai.

“Sot jemi më të qartë dhe më të vendosur, dhe sa më shumë që injorohet zëri i studentëve, aq më shumë do të rritet revolta qytetare. Ne rebelohemi kur na mohohet e drejta”, theksoi ai.

Kjo ishte protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë në Shkup. Protesta e parë është mbajtur më 6 prill.

Por, studentët shqiptarë kanë kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve edhe në forma të tjera.

Subjektet politike shqiptare, në pozitë dhe në opozitë, i mbështesin kërkesat e studentëve. Por, ato e kanë akuzuar njëra-tjetrën për moszbatimin e ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

protesta e shqiptareve maqedoni (2)

protesta e shqiptareve maqedoni (4)

protesta e shqiptareve maqedoni (6)

mevlan ademi

protesta shkup(r.m.)

Comment

*