Stuhia tropikale “Hilary” godet Kaliforninë dhe Nevadën

Uashington, 21 gusht 2023 – Stuhia tropikale “Hilary” shkaktoi shira përmbytëse në Kaliforninë jugore dhe në Nevada, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për rreziqet që u kanosen qytetarëve nga kjo stuhi e rrallë, e cila po lëvizë dejt shteteve në brendi.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik amerikan u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë jashtë rrugëve në zonën e Los Anxhelosit, për shkak të përmbytjeve të rrezikshme.

Shumë nga zonat në rrugën e stuhisë, e cila pritet të dobësohej pasi qendra e saj u zhvendos në Nevada të hënën, nuk janë mësuar të shohin reshje të tilla që shoqërojnë stuhinë tropikale.

Meteorologët parashikojnë se në disa zona të shkretëtirës mund të bien midis 12 e 25 centimetra shi për meter katror.

“Në disa zona në shkretëtirë, kjo vlen sa për një vit”, tha Alex Tardy, një meteorolog i lartë i Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës në San Diego, në një konferencë me gazetarë. “Reshjet normale në Kaliforninë Jugore dhe San Diego nuk janë asgjë në gusht. Pra, një ngjarje shumë e pazakontë po shpaloset këtu”.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për t’u përballur me pasojat e stuhisë.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se administrata e tij është e gatshme për të ofruar ndihmë për Kaliforninë, Nevadën dhe Arizonën.

Stuhia çoi në anulimin e fluturimeve në Los Anxhelos, San Diego dhe Las Vegas, ndërsa shkollat në Los Anxhelos dhe San Diego janë mbyllur.

Stuhia e fundit tropikale që goditi Kaliforninë ndodhi në vitin 1977.

Stuhia tropikale “Hilary” arriti të dielën në gadishullin Baja California të Meksikës.

(Zëri i Amerikës)