Sulm me armë në Florida, dy të vrarë e dhjetëra të plagosur

Majami (Florida), 30 maj 2021 – Dy persona u vranë dhe mbi 20 të tjerë u plagosën të dielën, kur një grup prej tre personash qëlloi me armë zjarri ndaj një turme jashtë një koncerti në Majami të Floridës, njoftoi  policia lokale. Një nga të plagosurit raportohet se është në gjendje kritike.

Policia tha se të shtënat ndaj turmës në koncert ndodhën pas mesnatës, pranë zonës që njihet si Kopshtet e Majamit (Miami Gardens).

Derisa njerëzit qëndronin jashtë, një fuoristradë e tipit “Nissan Pathfinder” iu afrua turmës dhe nga ajo “dolën tre njerëz dhe qëlluan pa dallim ndaj turmës”, tha policia. Tre sulmuesit më pas hipën në makinë dhe u larguan nga skena.

Ekipet e ndihmës së shpejtë arritën në vendin e ngjarjes, ku i gjetën dy të vrarë. Mbi 20 të plagosur u dërguan në spital, njëri prej  tyre në gjendje të rëndë.

Në një shkrim në rrjetin Twitter, drejtori i policisë së qarkut Miami-Dade, Alfredo “Freddy” Ramirez, i cilësoi sulmuesit “vrasës gjakftohtë”.

“Këta janë vrasës gjakftohtë që qëlluan pa dallim ndaj turmës dhe ne do të kërkojmë drejtësi”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë dhe të dhimbshme të sulmeve me armë, Në disa raste kanëndodhur edhe vrasje masive të profilit të lartë në shkolla, në qendra tregtare apo në vende pune.

Vrasjet, kryesisht ato me armë zjarri, janë rritur gjatë vitit të kaluar. Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur vrasje masive në një objekt të kompanisë postare FedEx në Indinapolis, në një ndërtesë zyrash në Kaliforni, në një dyqan ushqimor në Kolorado dhe disa vrasje në Atlanta.

Muajin e kaluar, Presidenti Joe Biden e cilësoi dhunën me armë zjarri si “një epidemi” dhe si “një turp ndërkombëtar”.

Sipas organizatës Arkiva e Dhunës me Armë, më shumë se 43. 000 njerëz e kanë humbur jetën nga dhuna me armë zjarri, pëfshirë vetëvrasjet, vitin e kaluar, në Shtetet e Bashkuara.

(r.m.)