Zhbllokimi i parlamentit nga opozita do të ishte një hap pozitiv dhe i vlefshëm për ta dhe për Kosovën.
Nga Agim Aliçkaj

Kosova dardane e sulmuar nga të gjitha anët, nga jashtë dhe nga brenda. Është koha që të gjithë ata që e duan shtetin dhe kombin me zemër dhe pa hile të ngrenë zërin kundër këtyre sulmeve. Sidomos intelektualëte pavarur dhe ata që nuk i përkasin asnjë partie dhe të tillë ka shumë. Por edhe anëtarët e shumtë të partive politike që vënë interesat partiake para interesave shtetërore dhe nuk kanë pjesëmarrje në korrupsion dhe vepra të këqija.
Kritika ndaj liderëve të partive të dala nga lufta e PDK-së dhe AAK-së nuk do të thotë kritikë ndaj heroizmit dhe luftës për liri të Adem Jasharit dhe UÇK-së së lavdishme. Kritika ndaj liderëve të LDK-së nuk është kritikë ndaj lëvizjes demokratike të Ibrahim Rugovës. Dhe sigurisht, kjo nuk është një kritikë ndaj të gjithë opozitës, sepse atje ka shumë patriotë të guximshëm dhe të mençur që e duan Kosovën me gjithë zemër, për të cilën kanë dhënë gjithçka.
Thënja e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, “më e keqe se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës është nëse Albin Kurti do të arrinte ta formonte Qeverinë” zbulon gjithçka. Kryesia e PDK-së e ka devijuar rrugën e demokracisë dhe ndërtimit të shtetit. Etja për pushtet, frika nga humbja e pasurisë së paligjshme dhe urrejtja ndaj KM Albin Kurti jua ka humbë arësyjen. Këtyre, fatkeqësisht ju kanë bashkangjitur edhe krerët e LDK-së dhe AAK-së.
Për katër vite në opozitë, ata nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e duhur dhe konstruktive të veprimit në shtetin e tyre demokratik. Paaftësinë e tyre për të ofruar propozime dhe zgjidhje konkrete më të mira se qeveria Kurti në përballjen me Serbinë, por edhe në jetën e brendshme politike dhe ekonomike, e kanë zëvendësuar me kundërshtime ndaj gjithçkaje që bën Kurti dhe në fund me bllokimin e krijimit të institucioneve shtetërore.
Sinqerisht, me keqardhje më duhet të them se nuk di ndonjë punë të mirë, të rëndësishme në interes të shtetit dhe të kombit që kanë bërë krerët e opozitës në katër vitet e fundit. Mendoj dhe besoj se zhbllokimi i parlamentit nga opozita do të ishte një hap pozitiv dhe i vlefshëm për ta, por edhe drejt zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të Republikës së Kosovës.
Qendra e të gjitha sulmeve ndaj shtetit të Kosovës me qëllim të zhdukjes së kombit shqiptar është Serbia hegjemoniste, e udhëhequr nga regjimi kriminal dhe fashist i Aleksandër Vuçiqit dhe e mbështetur nga Rusia fashiste. Ata kanë përqendruar të gjitha forcat kundër qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, të cilët i konsiderojnë si pengesë kryesore për arritjen e synimeve të tyre grabitqare në Ballkan.
Paralajmërimi i gjeneralit Wesli Clark në Dayton, se Serbia mund ta përdorë Kosovën “si një bombë të kurdisur për t’u shfaqur në kohë të gabuar” duhet të merret shumë seriozisht. Këtë e dëshmon edhe demonstrimi provokues i maturantëve serb para disa ditësh në Mitrovicë. Bllokimi i krijimit të institucioneve shtetërore e inkurajon Serbinë për të ndërmarrë ndonjë agresion të shpejtë të papritur në Veri të Kosovës.
Dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë është lista serbe. Pjesëmarrja e saj selektive në jetën demokratike të Kosovës ka vetëm një qëllim, shkatërrimin e shtetit. Kosova është i vetmi vend në botë që lejon një organizatë armiqësore të përzihet në punët e shtetit. Përgjegjësinë kryesore për këtë e kanë krerët e opozitës, të cilët nuk lejuan votën për të penguar pjesëmarrjen e listës serbe në zgjedhje.
Agresioni serb kundër Kosovës është kthyer në luftë kundër Albin Kurtit. Qëllimi kryesor i tyre është largimi i përhershëm i tij dhe i forcave politike që janë me të nga jeta politike e Kosovës. Të njëjtin synim kanë edhe ish-diplomati proserb pa post zyrtar, amerikani Richard Grenell dhe kryeministri internacionalist proserb i Shqipërisë, Edi Rama. Ata i bashkon edhe urrejtja, inati ndaj Kurtit dhe interesat personale.
Sulmeve ndaj Kosovës i janë bashkuar edhe oligarkët e Kosovës, për shkak të lidhjeve financiare me Serbinë, urrejtjes ndaj Kurtit dhe përfitimeve ilegale, disa shqiptarë të pasur në Amerikë, si dhe shumë media shqiptare të ndikuara nga armiqtë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Një oligark i Kosovës deklaron se do ta shkrijë të gjithë pasurinë e tij vetëm për të rrëzuar kryeministrin Kurti.
Përballë të gjithëve qëndron fuqishëm populli shumicë i Kosovës. Ata me 340 mijë vota treguan se duan të udhëhiqen nga Albin Kurti. Me të për sa i përket votës i afrohet vetëm presidentja Vjosa Osmani, e cila nëse do të hynte në zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli do të fitonte sërish me një shumicë edhe më të madhe votash. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka 270 mijë vota. Të tjerët kanë shumë më pak. Këto janë fakte.
Me aftësitë e tyre, vendosmërinë dhe dijen, Vjosa, Albini dhe Glauku e meritojnë të udhëheqin shtetin sëpaku edhe për një mandat. Edhe ata kanë gabime, por jo të të tilla që e cenojnë ekzistencën e shtetit. Prej tyre pritet të tregojnë maturi, tolerancë dhe respekt për pikëpamjet e ndryshme të njëri-tjetrit dhe të të tjerëve.
Vota e popullit është e shenjtë. Ajo i kontrollon dhe korigjon gabimet e çdokujt. Votimi i fshehtë është kulmi i demokracisë. Bllokuesit e institucioneve të shtetit janë ata që bllokojnë dhe nuk votojnë, jo ata që votojnë. Nëse bllokuesit shfrytëzojnë mangësitë ligjore dhe nuk i lënë fituesit të qeverisin, nuk ka zgjidhje tjetër veç zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Populli i Kosovës e ka fjalën e fundit, askush tjetër.
Të gjitha këto sulme të dëshpëruara dhe të pakuptimta do të dështojnë! Askush nuk mund ta bllokojë Kosovën pro-amerikane në rrugën e sigurt drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe ndërtimit të shtetit.