Prishtinë, 24 prill 2026 – Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Makismoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Në shpalljen e aktgjykimit për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm ishte vetëm Dushan Maksimoviq.
Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq ishin pjesëtarë të grupit të armatosur që më 24 shtator të vitit 2023 kreu sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra zyrtari i Policisë së Kosovës, Afvrim Bunjaku, dhe u plagosën dy policë të tjerë të Kosovës.
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë, ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës.
“Përmes planit të mirëorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojë Serbisë”, tha ai.
Tre të dënuarit ishin pjesëtarë të grupit prej 45 serbëve të armatosur ndaj të cilëve ëhtë ngritur aktakuzë.
Gjykata ka vendosur ta veçojë procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Gjatë sulmit në Banjskë, grupi i serbëve të armatosur, udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzurave të tjerë.
Radoiçiq, i cili e ka pranuar se ishte udhëheqës i grupit, strehohet në Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht ekstradimin e tij në Kosovë për t’u përballurt me drejtësinë. Por, autoritetet e Serbisë e refuzojnë këtë kërkesë, me pretekst se ai do të nxirret para organeve të drejtësisë në Serbi.
(r.m.)